Tahiri: Serbia jo e gatshme t’i përmbush obligimet e dialogut

E publikuar: 30/12/2016 17:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri ka pritur sot në takim ambasadorin  e Zvicrës në Kosovë, Jean Hubert Lebet.

Në këtë takim, ministrja Tahiri ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve të mira mes dy vendeve në të gjitha fushat me interes të përbashkët, njëkohësisht falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit zviceran për Kosovën,shkruan Lajmi.net.

Ministrja Tahiri theksoi se Kosova po e përmbyll vitin me progres të madh në planin e forcimit të sistemit demokratik dhe zhvillimor ashtu edhe në progresin e shënuar në agjendën euroatlantike. Më tej, ministrja Tahiri foli për arritjet konkrete gjatë kësaj periudhe duke shtuar se MSA ka hapur perspektiva të reja për zhvillimin e reformave në vend në interes të qytetarëve, por nga ana tjetër tha se mungesa e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës është një pengesë e pamerituar.

Në vazhdim, ministrja Tahiri foli për rrjedhat në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore në mes të Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duke shtuar se ky proces po jep rezultate konkrete si në shtrirjen e sovranitetit shtetëror në veri të vendit me ç`rast përmendi fillimin e punës së mbi njëzetë ministrive dhe agjencive në veri, dhe integrimin në rritje të komunitetit serb në institucionet e Kosovës dhe shuarjen e strukturave paralele në fushat ku janë arritur marrëveshjet.  Mirëpo, ajo potencoi se destruksionet e Serbisë kohët e fundit kanë qenë evidente me ndërtimin e një muri ilegal si dhe manipulimin me politikanët serb në Kosovë, me çka Serbia po tregon se nuk është e gatshme të përmbush obligimet e dialogut për fqinjësi të mirë si një kusht themelor evropian për secilin shtet aspirantë.

Ambasadori i Zvicrës, Lebet vlerësoi progresin e arritur në Kosovë dhe konfirmoi mbështetjen e Zvicrës për ardhmërinë evropiane të Kosovës, për të cilën tha se mbështetja e Zvicrës do të vazhdoj fuqishëm, përfshirë në planin dypalësh mes dy vendeve.  Ai theksoi se kontributi drejt fqinjësisë së mirë është në dobi të stabilitet dhe paqes në rajon dhe Kosova po e dëshmon përkushtimin e vet në këtë drejtim. Ai po ashtu lavdëroi diasporën shqiptare në Zvicër duke thënë se janë mjaft të integruar dhe janë qytetarë të mirë dhe të zellshëm.