Tahiri: Prishja e raporteve me SHBA-të shkaku i taksës, përgjegjësia bie mbi këtë klasë politike

E publikuar: 08/02/2019 12:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Drejtësisë, njëherësh edhe anëtari i kryesisë së PDK-së, Abelard Tahiri gjatë intervistës në Telegrafi.com, ka folur edhe për çështjen e taksës për produktet nga Serbia dhe Bosnja, duke thënë se nuk bënë që të prishen marrëdhëniet me SHBA-të.

Tahiri ka thënë se është e drejtë që duhet të thuhet që kjo taksë nuk duhet të hiqet deri në njohje.

“Është e drejtë që duhet të thuhet që kjo taksë nuk duhet të hiqet deri në njohje. Mirëpo jemi në një kohë se të gjitha arritjet tona i kemi falë mbështetjes së Amerikës…Jam i bindur se pa përkrahjen e tyre nuk do të ishim këtu ku jemi”, ka thënë Tahiri.

Duke komentuar kërkesën e SHBA-ve për pezullim të taksës dhe hapjes rrugë vazhdimit të dialogut, Tahiri ka thënë se është vendim jo i mirë që të kundërshtohet kjo kërkesë.

“Mendoj se është pozicion jo i mirë i Kosovës që të kundërshtohet një kërkesë e Amerikës. Veseli ka dalë me një propozim që të pezullohet taksa dhe të vazhdojmë me reciprocitet”, ka deklaruar Tahiri.

I pyetur se a mund që taksa të jetë shkaktar i prishjes së koalicionit, Tahiri ka thënë se beson që një gjë e tillë nuk do të ndodh dhe se do të arrijnë kompromis brenda koalicionit për kërkesat e Amerikës.

“Liderët e koalicionit kanë takime të vazhdueshme, dhe ne nuk kemi dashur ta lidhim çështjen e qeverisë me taksën. Do të arrijmë kompromis brenda liderëve për kërkesat e Amerikës”, u shpreh Tahiri.

Abelard Tahiri ka thënë se taksa është vendim politik, dhe se taksa nuk duhet të kthehet si diçka që i dëmton relacionet me Amerikën

“Nëse e prishim relacionin me Amerikën, pasojat do ti kemi me dekada dhe kjo klasë politike e mbanë përgjegjësinë”, tha Tahiri.