Tahiri: Pagat e punëtorëve të Shërbimit Korrektues do të barazohen me ato të Policisë

E publikuar: 14/02/2019 12:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Punëtorët e Shërbimit Korrektues të Kosovës pas protestës që zhvilluan të hënën, sot kanë protestuar përsëri para objektit të Qeverisë së Kosovës.Por është pikërisht ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri i cili nuk ka hezituar të dalë dhe të bisedojë me gjithë këta punëtorë të Shërbimit Korrektues të cilët po protestonin.

Tahiri ka deklaruar para tyre se kërkesa e tij ka qenë që pagat e punëtorëve të Shërbimit Korrektues të rriten për 40%, pra të mbërrijnë nivelin e policisë, por që ato janë rritur vetëm për 25%. 

Ai shtoi se do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për t’u plotësuar kërkesat e tyre.

“Pra 100% të këtyre kërkesave kemi arrit me i realizu diku deri në 60%, pra nivelizimi i pagave nuk është arrit të bëhet pasi kërkesa ishte për 40% dhe u bë vetëm 25%.  Kemi formu një grup punues bashkë me Sindikatën dhe kur është votu Ligji kam ftu takim ministrin e Financave  dhe të Administratës që të punojmë brenda kësaj hapësire sa na lejon ligji që të ngriten koeficientat. Pra nëse do të implementohej Ligji pas një muaj do të ishte problem, por mendoj se kemi kohë të mjaftueshme. Jam në përkrahje të kërkesave të juaja kam pasur angazhim për t’u plotësuar kërkesat e juaja dhe iu premtoj se do iu mbajë të informuar lidhur me gjithë këto zhvillime”, ka thënë Tahiri.

Ai tutje deklaroi se do të fillojmë angazhimin së bashku me punëtorët e Shërbimit Korrektues duke shpresuar se do të përkrahet edhe nga ministria e Financave dhe Zyra e Kryeministrit lidhur me këto kërkesa.

“Ju jeni një prej agjencive më të rëndësishme për zbatimin e ligjit, e di rrezikun dhe kemi punëtorë që jetojnë me pasoja të asaj që kanë pësuar nga puna të cilën e bëjnë.Do të angazhohemi që gjithë këtë periudhë që edhe me Zyrën e Presidentit, edhe me Sindikatën që të sigurohen 100% e kërkesave që ju keni bërë. Pra kemi kohë të mjaftueshëm për të punuar, pra i kemi 9 muaj ditë që kur Ligji prezantohet në Gazetën Zyrtare”, ka thënë Tahiri