Tahiri: Nuk do të lejoj që Kosova të jetë strehë e kriminelëve

E publikuar: 16/08/2019 13:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri njofton për realizimin e suksesshëm të ekstradimit të një personi të dyshuar për vrasje të rëndë në Gjermani.

Përmes kësaj deklarate, Tahiri ka vlerësuar se Kosova nuk është dhe nuk do të jetë vend i sigurt dhe strehë për kriminelët.

Deklarata e plotë e ministrit Tahiri:

Dje kam ekstraduar një person të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritet gjermane, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë.

Ka qenë jetike për sistemin tonë të drejtësisë që t’i japim fund praktikës së paradokohshme, kur Kosova konsiderohej si strehë e sigurt për kriminelët dhe të dyshuarit që kryenin vepra të ndryshme penale. Këta të dyshuar shfrytëzonin zbrazëtirat ligjore që t’i shmangen ballafaqimit me drejtësinë.

Me të marrë mandatin si Ministër i Drejtësisë jam kujdesur që t’i eliminojmë menjëherë zbrazëtirat ligjore dhe të shfaqim përkushtim për të vendosur para përgjegjësisë secilin person të dyshuar. Kemi arritur kështu ta bëjmë Kosovën vend të pasigurt për kriminelet dhe vend model për regjionin në luftimin e krimit transnacional.

Nuk do të lejoj që Kosova të jetë strehë e kriminelëve.

Pavarësisht vendit që dyshohet ose kanë kryer veprën penale dhe shtetësisë që kanë, të gjithë të dyshuarit për vepra penale do të ndiqen dhe do të sillen para drejtësisë.

Falë punës që kemi bërë si Ministri në rrafshin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, vetëm këtë vit kemi arritur të realizojmë 18 ekstradime nga Kosova për në shtetet tjera.