Tahiri: Kryeministri e di më së miri sa vështirë funksionon Prishtina pa ligj

E publikuar: 01/03/2017 15:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtori ekzekutiv i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri, ka theksuar se kryeministri Isa Mustafa e di më së miri se si funksionon kryeqyteti pa miratimin e Ligjit për Prishtinën.

Andaj ai pret nga kryeministri që gjatë kësaj legjislature ta miratoj Ligjin për Prishtinën dhe ta dërgoj për procedim në Kuvendin e Kosovës.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Tahiri ka thënë se mos miratimi i Ligjit për Prishtinën i ka bërë dëme të mëdha kryeqytetit.

“Kryeministri Mustafa duhet gjithë sesi ta dërgon këtë ligj, e ka obligim ta dërgojë këtë ligj për shkak se ai e din më së miri se sa vështirë është me qeverisë pa ligj këtë qytet, dhe unë pres prej tij që ta bëjë gjatë kësaj legjislature…”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se duhet të ketë një harmonizim mes dy etniteve, kryetarit Ahmeti dhe kryeministrit Mustafa dhe të dërgohet ligji në Kuvend.

Tahiri ka folur edhe për performancën e komunave të Kosovës gjatë vitit 2016, duke thënë se nuk ka qenë vit i lehtë, ku disa komuna kanë pasur probleme serioze e paqartësi ligjore që lidhen me çështje sektoriale, sekondare.

“Paqartësitë ligjore lidhen drejtpërdrejt me temat që kryetarët e komunave i kanë premtuar gjatë proceseve zgjedhore – shumica dërmuese e kryetarëve platformën e tyre e kanë bazuar vetëm në investime që bazohen drejtpërdrejtë në komunë, por edhe tjetër në platformat e zhvillimit ekonomik lokal, partneritetit publiko privat pse jo edhe angazhimin e sektorit privat”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për ndarjen buxhetore të komunave, duke thënë se në këtë aspekt Ministria e Financave duhet ta ri-rregulloj Ligjin për Financa të Pushtetit Lokal, e jo ndarja e buxhetit të bëhet në bazë të preferencave partiake.

Ndërkaq, për kandidimin për kryetar të Komunës së Prishtinës, Tahiri ka theksuar se nuk do të kandidojë, por ka thënë se kryeqytetit i duhet një kryetar i guximshëm që merr vendime, i afërt me qytetarin dhe i pakorruptuar.