Tahiri kërkon përkrahjen e deputetëve gjermanë për liberalizimin e vizave

E publikuar: 20/09/2018 15:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka shfrytëzuar vizitën zyrtare në Gjermani për të kërkuar edhe me tej mbështetjen e këtij shteti në liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Përmes llogarisë së tij në rrjetin social Facebook, Tahiri ka bërë të ditur se ka takuar deputetin e CDU-së, Patrick Sensburg.

“Në kuadër të vizitës zyrtare në Gjermani, zhvillova një takim tejet konstruktiv me deputetin e Bundestagut Gjerman nga radhët e CDU-së, njëherit anëtarin e komisionit për drejtësi, z. Patrick Sensburg. Njoftova z. Sensburg për reformat e thella që kemi ndërrmarrë në fushën e sundimit të ligjit, për përmbushjen e kritereve për liberalizimim e vizave si dhe kërkova mbështetjen e mëtejme të Gjermanisë në këtë proces të rëndësishëm e domethënës për qytetarët tanë” ka shkruar Tahiri.

Për të parë nga afër të gjitha ndryshimet pozitive në Kosovë, Tahiri ka bërë të ditur se e ftoi deputetin gjerman që së shpejti të vizitojë Kosovën.
” Ftova z. Sensburg për një vizitë në Kosovë, që të shohë nga afër ndryshimet që po ndodhin çdo ditë në vendin tonë. Si shtet në ndërtim e sipër, po punojmë shumë që lajmet për Kosovën të jenë lajme pozitive dhe që përpjekjet tona për zhvillim ekonomik, për rend dhe ligj të marrin kredencialet e veta nga miqtë tanë dhe partnerët e rëndësishëm siç është Gjermania” ka përfunduar Tahiri.