Tahiri i angazhuar për krijimin e një ambienti efikas për qasjen në drejtësi të bizneseve

E publikuar: 31/08/2018 12:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka shprehur edhe njëherë angazhimin e tij për të vazhduar me reforma në drejtësi, deri në krijimin e një ambienti të përshtatshëm për bizneset vendore por edhe për investimet e huaja.
Pasi mori pjesë në konferencën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane të titulluar “Intervistë me gjyqësorin: Sundimi i ligjit nga perspektiva e sektorit privat”, Tahiri shkroi se drejtësia komerciale mbetet prioritet i tij.

“Republika jonë dhe sistemi juridik duhet t’i kushtojnë vëmendje dhe orientim të ri drejtësisë komerciale dhe kjo jo rastësisht është pjesë e mandatit dhe prioriteteve të mia si Ministër i Drejtësisë. Jam i bindur se sektori privat, me theks të veçantë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, janë e ardhmja e zhvillimit ekonomik dhe rritjes së punësimit në vendin tonë. Për ne është e qartë se të bërit biznes dhe tërheqja e investimeve të huaja në masë të madhe varen nga qartësia, transparenca dhe para shikueshmëria e sistemit të drejtësisë, si dhe nga ofrimi i një ambienti efikas të adresimit të mosmarrëveshjeve të natyrës komerciale” ka shkruar Tahiri.

I pari i drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, ka theksuar rolin që kanë Odat Ekonomike në procese të tilla, duke ofruar gjithmonë perspektivën e biznesve.

“Jemi duke ndërmarrë një sërë reformash që do të vlerësojnë dhe propozojnë ndryshimet e nevojshme në mënyrë që drejtësia që ndërlidhet me sferën komerciale të kalojë në një nivel të ri dhe kuptimplotë. Në këtë proces reformues të sistemit dhe veçmas atyre segmeneteve që trajtojnë fushën e ekonomisë, rol të rëndësishëm do të kenë Odat Ekonomike si partner institucional që ofrojnë perspektivën e bizneseve në raport me temat që kemi shtruar para nesh. Në tryezën e Odës Ekonomikë Amerikane, shpreha falënderimin e veçantë për Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe programeve të USAID-it për angazhimin e tyre të vazhdueshëm në konsolidimin e një ambienti ku ekonomia e lirë e tregut operon pa barriera dhe nën garancitë e sistemit të drejtësisë së Republikës tonë” ka përfunduar postimin e tij Tahiri.