Tahiri gjyqtarëve dhe prokurorëve: Tejkaloni kulturën e mosndëshkimit, rikthejeni besimin e qytetarëve në drejtësi

E publikuar: 11/03/2019 15:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, pret që gjithë investimi i shtetit në gjyqësor të sjell një realitet të ri në përditshmërinë e qytetarëve

Pasi mori pjesë në tryezën e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), me temën “Pandëshkueshmëria e korrupsionit, rrezik për shoqërinë dhe shtetin”/ “Zgjidhja: Integritet, transparencë, llogaridhënie?”. Tahiri përmes një statusi në rrjetin social në Facebook, shkroi se sistemi i drejtësisë është shtylla e zhvillimit të një shoqërie, prandaj edhe investimi në efikasitetin e tij është investim për të ardhmen.

“Sistemi i drejtësisë është shtylla e zhvillimit të një shoqërie prandaj investimi në efikasitetin e tij është investim për të ardhmen. Indikacionet flasin se performanca e sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial është duke u rritur, por ende kemi punë për t’i bërë ato tërësisht transparente, të përgjegjshme, llogaridhënëse dhe efikase. Në prezantimin e raportit të IKD-së mbi monitorimin e punës së gjykatave dhe prokurorive, theksova domosdoshmërinë për ta rritur përkushtimin e punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve që t’i mundësojnë qytetarit tonë një qasje të shpejtë dhe kuptimplotë në drejtësi. Rritja e buxhetit, shtimi i bashkëpunëtorëve profesional, rritja e pagave dhe reformimi i legjislacionit janë masa që dëshmojnë vullnetin politik timin si Ministër i Drejtësisë dhe institucioneve tona, që një realitet i tillë të bëhet përditshmëri” ka shkruar Tahiri.

Duke marrë parasysh gjithë investimin e bërë, Tahiri ka kërkuar nga gjyqtarët dhe prokurorët që mos t’i nënshtrohen ndikimit të askujt, por të punojnë për kthimin e besimit të qytetarëve në drejtësi.

“Gjyqtarët dhe prokuroret tanë janë karaktere që duhet të mbjellin besim për qytetarët dhe nuk duhet t’i nënshtrohen asnjë ndikimi nga abuzuesit dhe keqpërdoruesit. Shembujt e tyre të luftës ndaj korrupsionit dhe krimit te organizuar do të ndihmojnë në tejkalimin e kulturës së mosndëshkimit. Shteti i së drejtës përcaktohet nga puna e tyre e pavarur dhe në funksion të drejtësisë, pritjet tona ndaj tyre janë asgjë më pak sesa materializimi i sundimit të ligjit” ka shkruar në fund Tahiri.