Tahiri: Gjykata komerciale i jep fund vonesave dhe paqartësive të bizneseve

E publikuar: 27/03/2019 13:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se së shpejti bizneset do të kenë një gjykatë të veten ku do të marrin përgjegjësitë e drejtësisë për lëndët e tyre.

Pas një takimi që së bahsku me Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli ka pasur gjatë ditës me sektorin privat dhe me ndërmarrës, Tahiri ka shkruar se sundimi i ligjit është thelbësor për të mundësuar zhvillimin ekonomik të vendit.

“Nën organizimin e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli, mora pjesë në një forum diskutimi me komunitetin e biznesit, qëllimi i të cilit ishte forcimi i dialogut në mes institucioneve dhe sektorit privat të ndërmarrësisë. Qëllimi ynë i përbashkët është që t’i kontribuojmë aspiratave për zhvillimin ekonomik, përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe gjenerimit të vendeve të reja të punës, dhe në këtë drejtim nuk mund të lëvizet pa shtruar edhe komponentët e sundimit të ligjit dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor. Që nga fillimi i mandatit tim si Ministër i Drejtësisë kam shqyrtuar alternativat që i duhen vendit, në mënyrë që sektori i biznesit dhe drejtësia të jenë në raport të drejtë dhe efikas me njëra tjetrën. Jam angazhuar dhe jemi afër përmbylljes së dialogut, rekomandimet e të cilit e vendosin në qendër themelimin e një Gjykatë të re që do të trajtojë ekskluzivisht temat e drejtësisë komerciale” ka shkruar Tahiri.

Sipas Tahirit, Gjykata e re do të mundësoj t’i jepet fund vonesave dhe paqartësive për bizneset, duke iu mundësuar ambient që do të funksionoj mbi bazën e parimeve të shtetit të së drejtës.

“Bizneseve dhe ndërmarrësve tanë e po ashtu edhe investitorëve të huaj ju duhet një adresë unike që me efikasitet do t’i trajtojë lëndët e natyrës komerciale. Përpjekjet tona serioze për të ofruar një zgjidhje më të qëndrueshme dhe afatgjatë ndaj kësaj teme, kanë fituar mbështetjen e gjerë të partnerëve tanë zhvillimor, veçmas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, me ndihmën e së cilave jemi duke konsoliduar hapat e mëtejmë në këtë drejtim. Programi ynë ndaj drejtësisë komerciale, do t’i japë fund vonesave, paqartësive dhe do mundësojnë një ambient biznesor që funksionon ekskluzivisht mbi bazën e parimeve të shtetit të së drejtës” ka përfunduar statusin e tij në Facebook Tahiri.