Tahiri: Do t’i japë fund pasigurisë juridike për pronën publike

E publikuar: 07/07/2018 13:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka nisur procedurat për të hartuar një ligj të veçantë, përmes së cilit do t’i jepej fund paqartësisë rreth menaxhimit të pronës publike.
Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, i pari i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, ka the se se menaxhimi me këto prona do të ndihmoj në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Pas dhjetë vitesh shtetësi, ende ka paqartësi se kush është administrues dhe kush menaxhon me pronën publike në Republikën e Kosovës. Kjo dilemë duhet të marrë fund dhe për këtë arsye jam duke përgatitur projektligjin për Pronën Publike, për të shuar këtë pasiguri juridike e cila pamundëson shfrytëzimin e këtyre pronave për nevojat e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të shtetit tonë. Me këtë projektligj, shteti dhe komunat do të kenë procedura të qarta se si të regjistrojnë, të administrojnë dhe të disponojnë me pronën e tyre” ka shkruar Tahiri.

Sipas Tahiri, projektligji do të rregullojë edhe pronën e trashëguar nga ish Jugosllavia.

“Ky projektligj, do të rregullojë edhe çështjen e pronës së trashëguar nga ish-RSFJ si pasojë e suksedimit shtetëror, për të cilën duhen korrigjuar përfundimisht shënimet kadastrale. Kjo nismë legjislative, jo vetëm se është një hap i rëndësishëm në implementimin e Strategjisë Kombëtare për të Drejtat Pronësore, por mbi të gjitha është një hap i rëndësishëm në konsolidimin e Republikës sonë” ka përfunduar Tahiri.