Tahiri: Do të deklarojë pasurinë secila pozitë që ka potencial për abuzim

E publikuar: 20/03/2019 17:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka nisur ndryshimin e listës së njerëzve që do të deklarojnë pasurinë. Pas një vizite që së bashku me kryetarin e Kuvendit, z. Kadri Veseli, ka bërë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, në një status në rrjetin social Facebook, Tahiri ka shkruar se do të ndalohet abuzimi me paratë e taksapaguesve, transmeton Express.

“Krahas kodifikimit të drejtësisë penale përmes së cilës kemi rritur dënimet dhe kemi bërë të pamundur shmangien nga ballafaqimi me drejtësinë, materializimi i plotë i luftës tonë kundër korrupsionit dhe abuzimit me paratë e taksapaguesve tanë do të merr drejtim të ri edhe përmes politikës së re mbi fushën e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve publik dhe si dhe asaj mbi mandatin dhe kompetencat e Agjencisë Kundër Korrupsionit. Bashkë me Kryetarin Kadri Veseli, sot ishim në një vizitë pune në Agjencinë Kundër Korrupsionit, gjatë së cilës bashkëbiseduam me Drejtorin e AKK-së z. Shaip Havolli mbi sfidat, kapacitetet dhe perspektivën e këtij institucioni të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit, abuzimit, konfliktit të interesit dhe parandalimit të tyre” ka shkruar Tahiri.

Sipas të parit të drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, listimi i pozitave që do të deklarojnë pasurinë nuk do të bëhet nga hierarikia, por nga pozitat që mund të paraqesin rrezik për abuzim, korrupsion apo konflikt të interesit. E gjithë kjo, sipas Tahirit, do të mundësoj që të dallohen institucionet ku ka integritet.

“Në fokus të bashkëbisedimit ishte lista e subjekteve që deklarojnë pasurinë. Me projektligjin e ri që jam duke e përgatitur rreth kësaj fushe, do të ndryshojmë listën e deklaruesve, duke e rritur numrin e zyrtarëve që deklarojnë pasurinë, jo vetëm mbi kriterin e hierarkisë së pozitave, por mbi kriterin e përfshirjes së çdo pozite që mund të paraqesë rrezik për abuzim, korrupsion apo konflikt të interesit. Qytetarët e Republikës së Kosovës me të drejtë presin sektor publik me integritet dhe të përgjegjshëm. Përmes formatit të ri të deklarimit të pasurisë, si Ministër i Drejtësisë do ua ofroj një qasje të re nga e cila, do jetë lehtë e dallueshme se ku ka integritet dhe ku i njëjti paraqet probleme që duhet të jenë subjekt i trajtimit nga organet e pavarura të zbatimit të ligjit” ka përfunduar Tahiri.