Tahiri i ankohet BE-së se Serbia bllokoi zbatimin e tri marrëveshjeve

E publikuar: 21/07/2017 19:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

10 marrëveshje të arritura me Serbinë janë penguar nga kjo e fundit në forma të ndryshme.

Ky është përfundimi i raportit të ministres për dialog, Edita Tahiri, në raportin që ajo ia ka dërguar Bashkimit Evropian.

Sipas këtij raporti, plotësisht janë bllokuar marrëveshja për energjinë, drejtësinë dhe ajo për diplomat.

Marrëveshjet që janë ndërprerë gjatë zbatimit janë, ajo për kadastër, shuarja e ‘Mbrojtjes civile’, rivitalizimi i urës së Mitrovicës, rivitalizimi i rrugës kryesore në Mitrovicën Veriore dhe marrëveshja për shpërbërjen e plotë e strukturave paralele.

Raporti thekson se vonesa ka pasur në marrëveshjen për Asociacionin dhe reciprociteti në targat e automjeteve.

Në raport jepen detaje për këto bllokime, ku marrëveshja për energjinë ka dështuar, sepse Serbia është duke bllokuar regjistrimin e kompanisë së re në Kosovë në pajtim me ligjet e vendit.

Marrëveshja për drejtësi është bllokuar, sepse Serbia nuk i ka ndërprerë pagat për gjyqtarët dhe prokurorët serbë në institucionet e drejtësisë në Kosovë.

Ndërkaq, ende Serbia nuk ka kthyer dokumentet e skanuara të kadastrave në Kosovë, nuk ka shuar “mbrojtjen civile”, vazhdon t’i mbështesë strukturat paralele në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit, ka penguar rivitalizimin e urës dhe një rrugë në Mitrovicë Veriore.

Sipas ministres Tahiri, çdo vonesë e mëtejshme do të ndikonte negativisht në besimin e publikut për procesin e dialogut.

“Është e qartë se pala serbe ka dështuar seriozisht në përmbushjen e detyrimeve të saj.

Ju mund të rikujtoni provokimet destabilizuese nga ana e Serbisë ndaj Kosovës në dhjetor të vitit 2016 dhe janar të vitit 2017, përmes një muri të çuditshëm të ndërtuar në Mitrovicë, një treni të çuditshëm që përpiqej të hynte në Kosovë, fletë-arresti arbitrar për z. Ramush Haradinaj, i cili u mbajt në mënyrë të panevojshme për disa muaj në Francë. Qeveria e Kosovës iu përgjigj sfidave të tilla me vendosmëri dhe maturi, mbrojti sovranitetin dhe integritetin dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, BE-në dhe SHBA-në, u stabilizua situata”, ka thënë Tahiri.

Procesi i dialogut me Serbinë tashmë ka ndërruar format. Takimi i fundit është mbajtur për herë të parë në nivel presidentësh ndërmjet Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit.