Tadiq: Dialogu Beograd-Prishtinë s’ka më kuptim, Kosova mori atë që deshi!

E publikuar: 14/07/2017 11:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq ka thënë se pas nënshkrimit të marrëveshjes në Bruksel tani është shumë vonë për t’i zgjidhur disa çështje të cilat më herët kanë pasur mundësi të zgjidhen, duke iu referuar Kosovës së pavarur.

Në një intervistë për Blicin, Tadiq ka akuzuar Aleksandar Vuçiq dhe Tomislav Nikoliqin se kanë mashtruar qytetarët në fushatën e vitit 2012 duke premtuar se do përmirësojnë çdo gjë që qeveria e mëparshme kishte negociuar.

“Nënshkrimi i marrëveshjes së Brukselit pengon të luftojmë atë që më herët kishim mundësi. Tani ne po përballemi me një akt të kryer dhe çdo diskutim mbi këtë temë është sa për të larë ‘sy e faqe’ me publikun kinse dialogu është në rregull”, ka thënë Tadiq, duke shtuar se ditë më të mira për Serbinë ishin në kohën kur ai udhëhiqte, transmeton Indeksonline.

Ai ka theksuar se Qeveria ka lejuar vendosjen e sistemit ligjor të Kosovës së pavarur në të gjithë territorin e saj përfshirë edhe veriun.

“Në kohën e mandatit tim nuk është pranuar dhe kemi luftuar me sukses për të ruajtur atë që Serbia nuk e kishte humbur në ’99. Tani e vetmja gjë e rëndësishme që diskutohet është formimi i komunave serbe por edhe zbatimi i saj shihet se është i vështirë”, ka përfunduar Tadiq.