Sveçla vizitoi Qendrën e Studentëve, kërkon që të respektohen vendimet e qeverisë

E publikuar: 21/03/2020 16:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, i shoqëruar nga zëvendësministri i Ministrisë së Mbrojtjes, Enver Dugolli dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, vizituan sot Qendrën e Studentëve, e cila po shërben si karantinë për qytetarët që kthehen nga vendet e BE-së. Aty u pritën nga zëvendësministri i Ministrisë së Shëndetësisë, Izet Sadiku.

Gjatë vizitës Sveçla zhvilloi biseda të ndara me personelin shëndetësor, zyrtarët policor që po e menaxhojnë këtë qendër dhe me disa qytetarë që po qëndrojnë në karantinë, transmeton Klan Kosova.

Sipas njoftimit, të MPBAP-së, gjatë bisedës me ata Sveçla, u bëri me dije për masat që ka marrë Qeveria e Kosovës dhe kërkoi mbështetjen e qytetarëve që t`i mirëkuptojnë dhe respektojnë këto vendime duke qëndruar në karantinë.

“Natyrisht që ne jemi të vetëdijshëm që qëndrimi në karantinë në raste të tilla nuk janë të dëshirueshme, por janë të domosdoshme, për ruajtjen e jetës dhe shëndetit tuaj dhe familjeve tuaja, për mos përhapjen e virusit në shoqëri”, theksoi Sveçla.