Surprizë e dyfishtë në Miami, eliminohen Nadal e Wawrinka

E publikuar: 30/03/2015 10:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas 5 finaleve të humbura në Florida, Mastersi i Miamit mund të konsiderohet i mallkuar për numrin 3 të Botës, spanjollin Rafael Nadal.

Surprizë e dyfishtë në raundin e tretë të Mastersit të Miamit. Rafael Nadal dhe Stanislas Wawrinka i dhanë lamtumirën përpara kohe turneut 1000 pikësh që po zhvillohet aktualisht në cimenton amerikane. Pas 5 finaleve të humbura në Florida, Mastersi i Miamit mund të konsiderohet i mallkuar për numrin 3 të Botës, spanjollin Rafael Nadal. Edicionin e kaluar tenisti nga Majorka u mposht në finale nga Djokovic, ndërsa këtë vit Nadal u eliminua shumë më herët. 28-vjecari spanjoll u thye 2-1 me sete nga bashkëkombasi i tij Fernando Verdasco, i cili i shkaktoi Nadalit humbjen e dytë në tre përballjet e fundit direkte. Në një ndeshje që zgjati 2 orë e 17 minuta lojë 6-4 2-6 6-3 në favor të Verdascos ishte rezultati i seteve me këtë të fundit që do të sfidojë në ruandin tjetër argjentinasin Juan Monaco.

Natyrisht i dëshpëruar në përfundim të sfidës Rafael Nadal deklaroi se ndaj Verdascos ai luajti më mirë dhe meritoi të fitonte. Por përpara lamtumirës së Nadal dita kishte nisur me një tjetër eliminim surprizë. Favoriti numër 6 për të triumfuar në Mastersin e Miamit, zvicerani Stanislas Wawrinka u mposht në 2 sete nga Adrian Mannarino. 7-6 7-6 (7-4 7-5 në tiebreak) ishte rezultati i seteve në favor të tenistit francez me sfidën që zgjati 2 orë e 15 minuta. Me vështirësi të mëdha ja doli të kualifikohej në ruandin tjetër ceku Thomas Berdych, pasi mundi 2-1 me sete australianin Bernard Tomic. Shkoi në favor të Gael Monflis derbi francez mes tij dhe Jo Wilfred Tsongas, ndërkohë që Kevin Anderson mundi pa derdhur shumë djersë argjentinasin Leonardo Mayer. Akoma edhe më të thjeshtë e pati sfidën e tij përballë kolumbianit Santiago Giraldo numri 4 i Botës, britaniku Andy Murray. 27-vjecari skocez lëshoi 7 game gjithsej duke fituar 2-0 me sete 6-3 6-4.