Superliga e Shqipërisë, Policia e Shtetit nuk do ta sigurojë më rendin në stadiume

E publikuar: 15/08/2018 18:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këtë fundjavë do të nisë edicioni i 80-të i kategorisë superiore në Shqipëri, me një risi në pikën e rëndësishme të futbollit që ka të bëjë me sigurinë në stadiume.

Policia e Shtetit ka njoftuar Federatën, por edhe klubet, se nuk do të qëndrojë më brenda stadiumeve për të siguruar rendin, por vetëm jashtë tyre, duke detyruar klubet që të kontraktojnë një kompani private sigurie.

Po në këtë njoftim, policia njofton se ka inspektuar 61 objekte dhe terrene sportive, nga të cilat vetëm nëntë prej tyre plotësojnë kushtet e sigurisë. Por, sesi do të funksionojë policia jashtë stadiumit dhe sigurimi brenda tij, kjo është ende e paqartë – transmeton Top Channel.

Me një shkresë rreth 10 ditë përpara fillimit të aktivitetit, policia ka theksuar se do të ketë një qasje të integruar të saj në aktivitetet sportive, duke bashkëpunuar me agjenci të ndryshme publike, por edhe private, për të siguruar mbarëvajtjen e aktiviteteve.

Forcat e rendit në “Loro Boriçi” (Foto: Getty Images)

Mungesa e kontratave të disa klubeve me policitë private, në sezonet e kaluara, ka detyruar Policinë e Shtetit që të ngarkojë efektivët me mbikohë, duke përqendruar forca të shumta dhe mjete, gjë që ka sjellë një rritje të madhe kostoje për Policinë e Shtetit. Por, edhe pse kjo kosto do t’u faturohet tashmë klubeve, ato janë të kënaqura nga ky vendim.

“Klubet janë në njëfarë mase të kënaqura me vendimin e Policisë së Shtetit, pasi tifozeria me sa kuptohet është më komode kur nuk ka polici në stadium. Megjithatë, do t’i rëndojë pak nga ana financiare, pasi është një pagesë shtesë që të mos ketë më policë nëpër stadiume”, ka thënë Lysjen Nurishmi, shef i garave në FSHF.

Megjithatë, ende shumë klube të kategorive të ndryshme nuk kanë siguruar një kontratë me kompanitë private të sigurisë. Për një ndeshje futbolli ka disa kërkesa sigurie për policinë private.

Një ndeshje kërkon mesatarisht rreth 30-40 punonjës policie private, që në kosto financiare do të thotë rreth 100 mijë lekë më shumë shpenzime nga buxheti i klubit për secilën ndeshje që organizon si pritës. Kjo, për shkak se një punonjës i policisë private kërkon në shumë shpërblimi prej rreth 3.000 lekësh për ndeshje.