Super-rinovimi i Neymar, te Barça deri më 2021

E publikuar: 21/10/2016 20:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Muaj me radhë negociata, por tashmë erdhi kontrata e re dhe njoftimi zyrtar nga klubi: Neymar rinovoi me Barcelonën deri në vitin 2021. Në këtë mënyrë “blaugranat” largojnë rrezikun që paraqitej nga interesi i Paris Saint-Germain, për sulmuesin, me kampionët e Francës që ishin të gatshëm të paguanin klauzolën me vlerë 190 milionë euro për prishjen e kontratës. Nga marrëveshja e re, përmirësohen në mënyrë të ndjeshme përfitimet financiare të “O’ Ney”, me brazilianin që tashmë do të paguhet 15 milionë euro në sezon, të cilave u shtohen edhe shpërblimet për paraqitjet individuale dhe ato ekipore.

“Jam i lumtur që rinovova me Barçën, pasi këtu ndihem në shtëpi”, ishin fjalët e para të Neymar. Sulmuesi shpjegoi se pasi admirimit në distancë që gëzonte për katalanët, lidhja e tij me klubin është përforcuar prej transferimit në vitin 2013, me yjet e Barçës që nga kolegë u shndërruan në miqtë e tij të afërt, duke evidentuar marrëdhënien e shkëlqyer që ka me Lionel Messin dhe Luis Suarez.

Me rinovimin e yllit brazilian, “blaugranat” kanë rritur edhe çmimin e përcaktuar në klauzolën për prishjen e kontraës. Nga 200 milionë euro në sezonin e parë, çmimi rritet në mënyrë progresive duke kaluar në 222 milionë në vitin e dytë dhe në 250 milionë euro nga viti i tretë e në vazhdim.