Sulmet ndaj figurave publike që nuk kurrë nuk u zbardhen

E publikuar: 21/10/2017 14:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ende nuk ka asnjë të dyshuar për sulmet që u janë bërë disa personave publik në Kosovë që nga viti 2013 e deri më sot. Sulmet që ndodhën, por në raste të ndara, ndaj ish- kryeredaktorit të RTK-së, Myfail Limani, pastaj drejtorit të po këtij mediumi Mentor Shalës, ish- gazetares Arbana Xharra dhe gruas së ish- ministrit Blerand Stavileci, Vitore Metaj Stavileci kanë mbetur ende të pazgjidhura. Sulmuesit vazhdojnë të mbesin të paidentifikuar. Policia dhe Prokuroria nuk kanë dhënë përgjigje për Express për rastet në fjalë, përveç për rastin e Xharrës, ani pse pyetjet drejtuar tyre iu janë dërguar për më shumë se dy javë.

Gazeta Express me datë 06.10.2017 ka nisur disa pyetje në Prokurori dhe Polici, për disa raste të ndara, që kanë të bëjnë me sulmet ndaj personave publik që janë bërë ndër vite, më saktësisht që nga viti 2013. Por, Prokuroria ka dhënë përgjigje vetëm për rastin e sulmit të anëtares se re të PDK-së, ish gazetares Arbana Xharra. Kanë thënë se s’kanë asnjë të dyshuar lidhur me sulmin që i ka ndodhur ish-gazetares.

“Në bazë të raportit të fundit të Policisë së Kosovës të cilin e ka pranuar Prokuroria, më 05.10.2017, rasti është nën hetime dhe se kryesi i veprës penale ende është i pa njohur”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Express.

Ish-kryeredaktorja e së përditshmes “Zëri” dhe anëtarja e re e Partisë Demokratike të Kosovës, Arbana Xharra, është rrahur me mjete të forta më 13 maj të këtij viti, nga persona ende të panjohur.

Sulmi, siç kishte njoftuar Policia e Kosovës, ka ndodhur në afërsi të banesës së saj pas orës 01.00 pas mesnate dhe Xharra, nga lëndimet trupore që ka marrë, ishte dërguar në spitalin e Prishtinës.

Xharra në emisioni Komiteti kishe dhënë detaje të asaj se çfarë kishte ndodhur atë natë. Ajo ka përmendur disa nga miqtë e saj, për të cilët thotë se e kanë linçuar dhe për shkak të tyre, e plotë deklaratave të tjera kundër saj në rrjetet sociale, rezultoi edhe sulmi ndaj saj.

Por asnjë përgjigje se çfarë ka ndodhur me rastet tjera, nuk ka sqaruar as Policia sikurse dhe Prokuroria.

Pa përgjigje ka mbetur sulmi ndaj Vitore Stavilecit, gruas së ministrit të Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci. E njëjta ishte sulmuar më 28 gusht të këtij viti nga persona deri më tash të panjohur.

Ndërkohë që zyrtarë të PDK-së duke e dënuar këtë sulm, akuzuan Vetëvendosjen se kanë gisht në aktin ndaj bashkëshortes së ish- ministrit Blerand Stavileci.

Ndërkaq, më 28 gusht të vitit 2016, ishte sulmuar me granatë të dorës edhe shtëpia e drejtorit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Mentor Shala.

Por, ende nuk dihet se kush e ka hedhur granatën e dorës në shtëpinë e Shalës në Matiqan, përderisa ky i fundit sulmin ndaj tij e kishte lidhur politikisht.

Drejtori i RTK’së Mentor Shala në një postim në Facebook kishte theksuar se Prokuroria e shtetit e di se kush ia ka sulmuar shtëpinë, por sipas tij, ata nuk po guxonin të ndërmerrnin masa. Limani madje e kishte përmendur edhe Dardan Molliqajn e Vetëvendosjes duke thënë se Prokuroria po i frikësohet atij.

Por, një sulm tjetër, me bombolë gazi ishte kryer edhe në vitin 2013 në shtëpinë e ish kryeredaktorit Mufail Limani, nga persona po ashtu ende të panjohur.

Policia e Kosovës kishte deklaruar se persona të panjohur kanë tentuar të shkaktojnë zjarrëvënie në shtëpinë e Limanit përmes një bombole gazi të vendosur në derën kryesore të shtëpisë së tij. Limani dhe familja e tij kanë shpëtuar.

E pavarësisht gjithë këtyre sulmeve të njëpasnjëshme ndaj figurave publike, policia sikurse edhe Prokuroria nuk kanë dal me ndonjë qëndrim nëse për rastet në fjalë janë identifikuar sulmuesit./GazetaExpress/