Sulm në parlamentin iranian dhe tempullin e Khomeinit

E publikuar: 07/06/2017 12:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Persona të armatosur dhe sulmues vetëvrasës kanë sulmuar sot parlamentin iranian dhe tempullin e Ayatollah Ruhollah Khomeinit. Të dyja sulmet thuhet të jenë kryer nga grupe terroriste.

Grupi ekstremist sunit, Shteti Islamik, ka marrë përgjegjësinë mbi të dyja këto sulme në kryeqytetin e Iranit, i dominuar nga iranianët shiitë.

​Mediat iraniane raportojnë se së paku tre sulmues kanë bastisur mauzoleumin e Khomeinit në jug të Teheranit dhe kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të vizitorëve.

Një nga sulmuesit ka hedhur veten në erë, kurse një tjetër është vrarë nga forcat e sigurisë.

Sulmet thuhet të jenë kryer në të njejtën kohë dhe kanë qenë të koordinuara.

Edhe ministria e Inteligjencës e Iranit ka thënë se sulmet janë kryer nga grupe terroriste.

“Këtë mëngjes, dy grupe terroriste sulmuan parlamentin dhe tempullin e Imam Khomeinit … Anëtarët e grupit të tretë janë arrestuar para se të kryenin ndonjë sulm”, ka cituar ndër të tjera ministrinë, televizioni shtetëror.

Sulmet pasojnë zgjedhjet Hasan Rohanit si president të Iranit më pak se një muaj më parë. Rohani njihet si figurë e moderuar në një vend, në të cilin fuqinë supreme e ka Ayatollah Ali Khamenei./rel/