Sulm në Afganistan, vriten rreth 30 ushtarë

E publikuar: 12/07/2018 18:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryengritësit talebanë sulmuan një bazë ushtarake të rëndësishme në Afganistanin verilindor, duke vrarë të paktën 30 ushtarë dhe plagosur 17 të tjerë.

Zyrtarët i thanë Zërit e Amerikës se sulmi i befasishëm para agimit në distriktin e Kharaj Ghar të provincën Takhar u mundësoi rebelëve të konfiskonin të gjitha pajisjet ushtarake që ndodheshin në bazën e Armatës Kombëtare Afgane (ANA).

Zëdhënësi i qeverisë së provincës Sunatullah Timoori tha se pas sulmit në zonë shpërthyen përleshje të ashpra të armatosura dhe se forcat tokësore afgane u mbështetën nga ato ajrore në një përpjekje për të zmbrapsur kryengritësit.

Sipas disa njoftimeve, 40 pjesëtarë të forcave qeveritare humbën jetën.

Sipas zyrtarëve të ushtrisë afgane e ashtuquajtura “Njësia e Kuqe”, forca komando e talebanëve e kreu sulmin duke përdorur syze të posaçme për të parë natën.

Zëdhënësi i talibanëve Zabihullah Mujahid tha se luftëtarët e grupit vendosën kontrollin në 11 vend-strehime të sigurisë, përpara se të futeshin në bazën e ANA-s.

Në një deklaratë dërguar gazetarëve, Mujahid pohoi se si pasojë e ofensivës kryengritëse ishin vrarë më shumë se 70 ushtarë afganë, ishin konfiskuar disa tanke dhe automjete të blinduara përfshirë dhe armë, megjithëse pretendimet e talebanëve kanë treguar shpesh se janë të fryra në shifra.

Në një deklaratë të ministrisë afgane të mbrojtjes u tha se sulmet ajrore synonin një takim të profilit të lartë të talebanëve në provincën juglindore Ghazni, ku u vranë 24 kryengritës dhe u plagosën 17 të tjerë.

Sipas deklaratës, mes të plagosurve ishin disa komandantë kryesorë të rebelëve, përfshirë Amir Khan Mutaqi, një ish-ministër taliban gjatë 1996-2001, kohë kur grupi islamik kishte në kontroll shumicën e Afganistanit.