Suedi, bisedime për çështjen e Jemenit

E publikuar: 06/12/2018 20:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Grupet ndërluftuese të Jemenit ndodhen në Suedi për një raund të ri bisedimesh që synon t’i japë fund luftës 3 vjeçare që ka çuar vendin e vogël të gadishullit arab në prag të urisë.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara që filluan të enjten në qytetin Rimbo, përbëjnë negociatat e para në dy vjet mes qeverisë, të mbështetur nga Arabia Saudite dhe rebelëve Houthi të mbështetur nga Irani. Bisedimet e reja mbahen ndërsa është rritur zemërimi ndërkombëtar mbi krizën e rëndë humanitare, së bashku me vrasjen e kohëve të fundit të gazetarit saudit Jamal Khashoggi me banim në SHBA, në konsullatën e Riadit në Stamboll.

Zubair Iqbal, një studiues në Institutin e Lindjes së Mesme me qendër në Uashington, i tha Zërit të Amerikës se Arabia Saudite është kthyer në tryezën e negociatave nga një nxitje që i është bërë Senatit amerikan për t’i prerë ndihmën Riadit, si përgjigje ndaj vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi.

Martin Griffiths, zyrtar i Kombeve të Bashkuara që negocion mes dy kampeve, thotë se çështjet kryesore në rendin e ditës janë kontrolli i aeroportit ndërkombëtar të Sanaas-it, qasja e ndihmës humanitare si dhe një marrëveshje e mundshme për ndarjen e pushtetit. Palët kanë rënë dakord tashmë për një shkëmbim të burgosurish, por vëzhguesit nuk shpresojnë për ndonjë përparim të madh.