Substancat narkotike në mesin e fëmijëve

E publikuar: 29/05/2016 13:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përdorimi i substancave narkotike te të rinjtë shihet si një fenomen mjaft shqetësues. Organizatat joqeveritare që merren me trajtimin e përdoruesve të substancave narkotike, thonë se mosha mesatare e fillimit të abuzimit me narkotikë ka rënë në 12 vjeç.

Në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, kemi marrë mendimet e disa të rinjve lidhur me atë se sa kanë njohuri për substancat narkotike dhe sa dinë për rrezikun dhe pasojat nga përdorimi i tyre.

Studentja në Fakultetin e Arteve, Kaltrina Gjuka thotë se pos tjerash edhe vetë prindërit e fëmijëve duhet flasin hapur për këtë temë, meqë përdorimi I substancave narkotike tashmë është shumë aktuale.

“Kam dëgjuar për fenomenin e përdorimit të substancave narkotike prej moshës 12-vjeçare dhe mendoj se është shumë shqetësuese, e, edhe më shumë shqetësues është fakti se mosha mesatare e abuzimit me këto substanca ka qenë prej 16 vjeçe. Mendoj se duhet bërë fushata vetëdijesuese, kontroll më të madh të prindërve për t’ua ndaluar, pasi që mendoj se gjeneratat që vijnë do të kenë probleme në të ardhmen”, thotë Kaltrina.

Organizatat joqeveritare që merren me trajtimin e përdoruesve të substancave narkotike vlerësojnë se janë rreth 5 mijë përdorues aktivë të këtyre substancave në Kosovë, derisa shtojnë se në tërësi janë rreth 25 mijë përdorues.

Nora, 22 vjeçe, studente në Fakultetin Ekonomik thotë se dukuria e përdorimit të narkotikëve duhet të sensibilizohet nga të gjitha institucionet relevante, në mënyrë që t’i parandalojnë të rinjtë të fillojnë të abuzojnë me drogat.

“Mendoj se gjeneratat e reja po përdorin shumë. Për aq sa jam unë e informuar, para luftës mosha mesatare e abuzimit me këto substanca ka qenë 16 vjeç, derisa tash, në bazë të informacioneve që i marr nëpërmjet medieve, moshat 12 -13 vjeç konsumojnë marihuanë. Mendoj se shteti duhet të ndërmarrë masa, e gjithashtu edhe të organizojë fushata nëpër rrugë, shkollë e medie, për t’i vetëdijesuar të rinjtë për pasojat që sjell droga”, shprehet Nora.

Ndërkaq, Zana Berisha konsideron se duhet pasur më shumë qendra rehabilituese meqë tashmë, sidomos në Prishtinë, ka shumë të rinj që përdorin substanca narkotike.

“Për moshat më të mëdha, e di që konsumojnë(drogë) në Prishtinë. Mendoj se duhet të ketë më shumë qendra rehabilituese. Sa i përket moshave shkollore, nuk kam shumë informata sa konsumohet. Mendoj se për ta, prindërit duhet kenë më shumë kujdes, t’i informojnë, qoftë përmes filmave, nëse nuk kanë mundësi ndryshe, që t’i shohin pasojat. Ndoshta nuk është çështje shtetërore gjithçka, edhe familja luan rol të madh”, shpreh mendimin e saj Zana.

Ndryshe, Albulena Morina, nga Vushtrria, studente në Fakultetin Teknik në Universitetin e Publik, mendon se të rinjtë e Prishtinës prijnë me përdorim të substancave narkotike, krahasuar me vendet tjera të Kosovës:

“Në gjeneratën tonë, shumë përdorin, sidomos në Prishtinë, pasi unë jetoj këtu. Unë vij nga Vushtrria, atje nuk është shumë e shprehur kjo dukuri. Se çka përdorin nuk e di, po e di se janë substanca narkotike”.

Edhe Besim Gashi pohon ngjashëm:

“Unë nuk e përdori, por sidomos në Prishtinë, përdoret shumë. Mendoj se është mirë që të ketë fushata vetëdijesuese, pasi nuk kam pasur rast të shoh”.

Derisa Margarita Suka, nxënëse e shkollës së mesme, thotë se janë fëmijët e shkollave fillore ata që më së shumti fillojnë të abuzojnë me substanca narkotike.

“Prej të rinjve përdoren substancat narkotike, por krahasuar gjeneratën time me gjeneratën e re, te këta të fundit si fenomen është shumë më i shprehur. Unë mendoj se nuk i dinë pasojat. Ne i kemi ditur pasojat, rreziqet, i kemi diskutuar gjërat. Të rinjtë e shkollave fillore po hyjnë në të, pa qenë të informuar. Mendoj se duhet të ndërmarrin masa, si shteti, po ashtu edhe familjet, pasi që fushata nuk është që s’ka pasur, por asnjëherë nuk i kanë marrë parasysh. Ka pasur efekt të kundërt, i kanë irrituar shumë të rinjtë”, thotë Margarita.

Statistikat e autoriteteve të rendit flasin se vetëm gjatë periudhës janar-prill 2016, Policia e Kosovës ka trajtuar mbi 218 raste, ku të përfshirë kanë qenë mbi 300 persona të dyshuar.

Gjatë kësaj periudhe janë konfiskuar mbi 180 kilogramë marihuanë, mbi 10 gramë heroinë, pastaj edhe një sasi e kokainës. Si rezultat i operacioneve policore gjatë kësaj periudhe janë arrestuar mbi 250 persona të dyshuar.

Pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve të rendit që të parandalohet përdorimi dhe shitja e drogave, organizatat joqeveritare konsiderojnë se qasja deri te shitësit e drogave nuk është shumë e vështirë, gjë që është shqetësuese, transmeton rel.

Ato konsiderojnë se mungesa e një koordinimi të duhur të shumë mekanizmave institucionalë, bën që kjo çështje të mos parandalohet.