Studimi: Kosovarët s’besojnë në barazi para ligjit, politikanët i konsiderojnë të paprekshëm

E publikuar: 25/12/2020 13:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qytetarët e Kosovës besojnë se jo të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Sipas tyre, politikanët kanë më pak gjasa që të ndëshkohen nga gjykatat në vend dhe se politika të bën të paprekshëm.

Drejtësia Sot, platformë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), organizoi gjatë ditës së sotme, konferencë për media në të cilën u shpalosën të gjeturat e botimit të gjashtë të “Indeksit të Performancës së Institucioneve të Sundimit të Ligjit në Kosovë, i njohur me emrin RoLPIK”.

Sipas kësaj platforme, edhe ky edicion, është bazuar në të dhënat e perceptimit qytetar mbi punën e institucioneve zbatuese të ligjit, në raportet vjetore të Këshillit Prokurorial dhe Gjyqësor të Kosovës dhe në Ligjin për Buxhetin, duke bërë krahasime përgjatë viteve 2013-2019.

Nga të dhënat është vërejtur që përkundër agjendës “Drejtësia 2020” dhe procesit të Rishikimit Funksional – që të dyja të nisura nga Ministria e Drejtësisë, me qëllim kryesor sigurimin e mbarëvajtjes dhe rikthimin e besimit të qytetarëve në drejtësi – më shumë se gjysma e qytetarëve mohojnë të kenë vërejtur përmirësim në sistemin e drejtësisë. Ndërsa, vetëm 30.7% të qytetarëve mendojnë se ka efekte pozitive në këtë aspekt.

Rreze Hoxha nga GLPS thotë se mbi 68% e qytetarëve besojnë se politikanët kanë më pak gjasa të ndëshkohen nga ligji, kurse vetëm 21.4% prej tyre mendojnë se qytetarët janë të barabartë para drejtësisë.

“Njëra ndër pyetjet e para të cilat i është parashtruar të anketuarve ka qenë nëse të njëjtit mendojnë se qytetarët e Republikës së Kosovës janë të barabartë para sistemit të drejtësisë. 68.5% e tyre besojnë se politikanët kanë më pak gjasa të ndëshkohen nga ligji kurse vetëm 21.4% prej tyre mendojnë se qytetarët janë të barabartë para drejtësisë. Me krahasim me dy vitet e kaluara trendi është negativ meqë e kemi një rritje prej 8.8% të besimit se politikanët janë të pandëshkueshëm dhe shikuar në tërësi ky indikator se përafërsisht tregon se rreth 70% e popullatës besojnë se politika të bën të paprekshëm nga drejtësia. Për më tepër, sipas të dhënave të raportit 63.7% të qytetarëve i besojnë më së paku gjykatave dhe prokurorive sepse mendojnë se kanë influencën më të madhe nga politika. Ndërsa institucionet me influencën më të vogël politike i konsiderojnë Policinë e Kosovës me 20.3% dhe EULEX-in me 13.9%”, deklaroi Hoxha.

Për sa i përket mitmarrjes, RoLPIK ka vënë në pah se mbi 48% e të të anketuarve, besojnë se

institucionet e drejtësisë vazhdojnë të jenë të prekura nga kjo dukuri. Ata besojnë se institucionet më të prekura nga kjo dukuri sipas 59.5% të qytetarëve janë gjykatat dhe prokuroria.

Sipas të anketuarve, Policia e Kosovës është institucioni më efektiv për luftimin e korrupsionit. Ndërsa shumë më pak janë gjykatat dhe prokuroria. Po ashtu, vihet re edhe rritja e besimit në Policinë e Kosovës.

“Për nga efektiviteti në luftimin e korrupsionit sipas të anketuarve Policia e Kosovës me 48.1% është institucioni më efektiv për luftimin e kësaj dukurie negative, ndërsa 7.2% e qytetarëve mendojnë se gjykatat janë efektive në luftën kundër korrupsionit dhe prokuroria me vetëm 4.8%. Në krahasim me të dhënat e vitit të kaluar vërejmë se është rritur besimi i qytetarëve në Policinë e Kosovës me mbi 18.5% lidhur me efektivitetin në luftën kundër korrupsionit ndërsa gatishmëria e qytetarëve të Republikës së Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe veprat e tjera penale ekziston në masë të madhe përkundër që janë të pakënaqur me punën e këtij sektorit”, vijoi Hoxha.

Tutje, RoLPIK ka gjetur se si në vitet e kaluara edhe në këtë vit, rreth 89% të qytetarëve së pari do të zgjidhnin të raportonin veprat penale në polici kurse në prokurori vetëm 1.2% prej tyre.

Indikatori i pavarësisë në vendimmarrje për vitin 2020, ka treguar se rreth 41% të qytetarëve e konsiderojnë Policinë e Kosovës si institucionin më të pavarur, ndërsa vetëm 17.5% e të anketuarve mendojnë se gjykatat mund të jenë të pavarura në ushtrimin e detyrës së tyre, sikurse edhe prokuroria me përqindje prej 14.9%.

Sa i përket indikatorëve strukturor, të bazuara në punën e prokurorisë dhe gjykatave për vitin 2019, Njomza Arifi nga GLPS thotë se kanë gjetur se performanca e sistemit prokurorial, ka qenë më e larta rreth 153 % nga prokuroritë themelore ndërsa më të ulëta me 59% nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

“Në sistemin prokurorial për vitin 2019 efikasitet më të madh gjatë këtij viti kanë pasur prokuroritë themelore me 153% nivel të efikasitetit ndërsa më të ulëtin e ka pasur Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës me 59% e që është efikasiteti më i ulët i këtij institucioni që nga viti 2014. Kjo është vetëm një indikator që tregon se sa është duke u luftuar korrupsioni në Kosovë dhe përpjekjet mbeten ende të mangëta”, deklaroi Arifi.

Të njëjtat të dhëna për gjyqësorin kanë treguar se efikasitet më të lartë në përfundimin e lëndëve kanë pasur gjykatat themelore. Kurse, Gjykata Supreme ka pasur performancën më të dobët në raport me gjykata e tjera të vendit.