Studim: Të luash video-lojëra të dhunshme të bën më agresiv

E publikuar: 26/08/2015 20:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ekspertët kanë kryer një sërë studimesh sa i përket ndikimit që kanë video-lojërat tek zhvillimi psikologjik i njeriut. Nga këto studime të pothuajse një dekade, ata kanë dalë në përfundimin se luajtja e video-lojërave të dhunshme është “një faktor i rrezikshëm” për rritjen e agresionit.

Studimi thotë se “ka të dhëna të mjaftueshme” se të luash video-lojëra të dhunshme të çon drejt dhunës dhe kriminalitetit. Studimi prej 49 faqesh është bërë nga departamenti i Dhunës në Media i APA-s (American Psychological Association), dhe përfshin periudhën nga 2005 deri në 2013, për efektet që kanë video-lojërat e dhunshme.

Ata kanë paralajmëruar prindërit që të ushtrojnë më shumë kontroll tek fëmijët e tyre sa i përket video-lojërave të dhunshme. Raporti vëren se asnjë faktor i vetëm i rrezikut nuk ndikon që një person të bëhet agresiv dhe i dhunshëm. Përkundrazi, është ‘mbledhja e një sërë faktorësh rreziku’ që të çon drejt sjelljeve të tilla.

Dr. Mark Appelbaum, i cili ka kryesuar studimet e APA-së, u shpreh: “Shkencëtarët kanë hetuar luajtjen e video-lojërave të dhunshme për më shumë se dy dekada, por, deri tani, ka shumë pak studime që tregojnë nëse video-lojërat e dhunshme ndikojnë që njerëzit të kryejnë veprime kriminale.”

“E dimë që ka një sërë faktorësh që ndikojnë tek sjelljet agresive. Ajo që studiuesit duhet të bëjnë tani është të kryejnë studime që tregojnë efektet që shkaktojnë video-lojërat tek njerëzit për rritjen e agresionit ose dhunës, duke kombinuar edhe faktorët e rrezikshëm. Për shembull, si bashkëveprojnë depresioni ose delikuenca me luajtjen e video-lojërave të dhunshme.”