Strinic duhet të pushojë 3-4 muaj shkaku i problemeve me zemër

E publikuar: 21/08/2018 02:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kardiologu Bruno Caru pretendon se Ivan Strinic duhet të pushojë së paku 3-4 muaj pasi lojtari i Milanit u diagnostikua me një problem në zemër.

Mbrojtësi kroat arriti marrëveshje transferimi me Milanin para përfundimit të sezonit të fundit në Serie A, por u zyrtarizua si lojtar i ri vetëm në muajin qershor.

Megjithatë, 31-vjeçari nuk ka mundur ende të debutojë me klubin italian pasi është konfirmuar se ka probleme në zemër.

Milani konfirmoi të shtunën se Strinic kishte pësuar “hipertrofi fillestare të muskujve kardiak” dhe kardiologu Caru nuk pret që kroati të kthehen përpara vitit të ardhshëm.

“Për të kuptuar se cilin lloj të hipertrofisë ka Strinic, ai duhet të pushojë së paku 3-4 muaj”, ka thënë fillimisht Caru për gazetën Tuttosport.

Strinic gjatë prezantimit të tij te Milani

“Një periudhë më e shkurtër nuk do të kishte kuptim, përveç nëse në katër javët e ardhshme lojtari nuk i nënshtrohet testeve më të hollësishme të specialistëve, të cilat mund të parandalojnë patologjinë më serioze të hipertrofisë kardiake”, përfundoi ai.

Ndryshe, Strinic zhvilloi disa ndeshje në Kupën e Botës me Kroacinë, por problemet e tij u zbuluan vetëm pas përfundimit të kampionatit botëror. /Telegrafi/