Statistikat gjermane: Kosovarët më të infektuarit me Covid 19 nga të kthyerit në Gjermani

E publikuar: 29/07/2020 17:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasada e Kosovës në Gjermani ka njoftuar se në bazë të statistikave nga instituti i qeverisë federale gjermane (Robert Koch Institut) shtetasit nga Kosova që kthehen në Gjermani kanë paraqitur numrin më të lartë të infektuarve me Covid-19.

Përmes një njoftimi në faqen e tyre në FB Ambasada e Kosovës në Gjermani ka bërë apel që bashkëatdhetarët që kalojnë pushimet në Kosovë të respektojnë masat anti-covid.

“Në bazë të statistikave të hartuara nga RIK (Robert Koch Institut) shtetasit nga Kosova që kthehen në Gjermani ditëve të kaluara kanë paraqitur numrin më të lartë të infektuarve me COVID 19. Prandaj, për të gjithë shtetasit tanë dhe bashkëkombasit që kalojnë pushimet në Kosovë:

Luteni që të zbatoni masat e parapara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Republikën e Kosovës- distancë, maska, higjienë”, thuhet në njoftim.

Ambasada po ashtu ka kërkuar nga bashkëatdhetarët që posa të kthehen në Gjermani të zbatojnë udhëzimet e Ministrisë Federale të Shëndetësisë.

“Luteni që posa të ktheheni në Gjermani nga pushimet të zbatoni udhëzimet e Ministrisë Federale të Shëndetësisë dhe Ministrive të Landeve gjermane për testime në aeroporte ndërsa nëse udhëtoni me makinë apo autobusë të lajmëroheni tek Entet Shëndetësore në venbanimet tuaja dhe të testoheni! Ruajeni veten sepse me këtë ruani të afërmit tuaj”, thuhet në njoftim.