Statistikat e Golden State Warriors

E publikuar: 17/06/2015 22:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pasi përmbysi me sukses disavantazhin 2-1 të serisë përmbyllëse ekipi i Golden State Warriors përfundimisht mbylli fazën finale me rezultatin e përgjithshëm 4-2 ndaj “Kavalierëve” të LeBron James, duke koleksionuar titullin e parë në NBA pas plot katër dekadash. Pak a shumë u kuptua që në fillim të këtij edicioni që ky sezon do të ishte krejt i vecantë për “franchise”-n kalifornian, me bazë në Oakland, sidoqoftë këtë e konfirmojnë më së miri edhe statistikat që tregojnë se me 83 fitore gjithsej, duke përmbledhur së bashku sezonin e rregullt dhe fazën play off, Warriors bëhen skuadra me bilancin e tretë më të mirë në historinë e NBA, pas vetëm Chicago Bulls të Michael Jordan. Demat e Illinois-it me M.J. në ekip regjistruan 84 fitore në sezonin 1996-97 dhe plot 87 në edicionin pasardhës. Për të krijuar një ide më të qartë për madhështinë e këtyre shifrave vlen të theksohet fakti që “regular season” përmban plot 82 takime, ndërsa për të fituar përfundimisht trofeun Larry O’Brien nevojiten 16 fitore në katër fazat e ndryshme të ndeshjeve me eliminim të drejtpërdrejtë.

Kurioz është fakti që në të tre rezultatet më të mira në historinë e NBA, pra si te Bulls ashtu edhe te Warriors figuron emri i Steve Kerr, i cili këtë herë si trajner e përfundoi sezonin me 67 fitore në sezonin e rregullt dhe natyrisht 16 në fazën play off. Franchise i Golden State Warriors u bë i treti në histori që fiton të paktën katër tituj, pas skuadrave të tilla si San Antonio Spurs 4, Chicago Bulls 6, Los Angeles Lakers 16 dhe Boston Celtics 17. 39 sezonet që kanë kaluar nga viti 1975 deri më tani përbëjnë periudhën më të gjatë pa trofe, për një ekip që e ka fituar minimalisht 2 herë titullin në NBA. Pas Chicago Bulls në sezonin 1990-91 Warriors bëhen i pari ekip që fitojnë titullin me një skuadër ku asnjëri prej lojtarëve nuk kishte marrë pjesë më parë në një fazë finale të NBA. Ekipi i Golden State gjatë këtij edicioni vendosi dy rekorde: 240 kosha gjithsej, me vlerën e tre pikëve në play off dhe 67 prej tyre vetëm në serinë finale ndaj Cavaliers.

Andre Iguodala u bë i pari basketbollist që u shpall lojtari më i mirë i finaleve, pavarësisht se nuk luajti për asnjë minutë si titullar gjatë sezonit të rregullt dhe me 16,3 pikë, 5.8 rebound e katër asist për ndeshje u bë njëkohësisht MVP i finaleve me më pak pikë, që nga Magic Johnson me Lakers në vitin e largët 1982. Stephen Curry u bë i gjashti basketbollist në histori që vë në gisht unazën e fituesit po të njëjtin sezon që shpallet gjithashtu edhe MVP i sezonit, pas emrave të tillë si Shaquille O’Neal në vitin 2000, Hakeem Olajuwon në 1994, Kareem Abdul – Jabbar në sezonin 1970 – 71, Willis Reed 1969 – 70 dhe Bob Cousy në sezonin 1956 – 57.

“Steph” u bë lojtari me më shumë treshe në play off, 98, duke kaluar bindshëm rekordin e të famshmit Reggie Miller me 58 gjuajtje të sakta për tre në ndeshjet me eliminim të vitit 2000. Curry bëhet gjithashtu i treti lojtar në histori pas dyshes Bob Cousy – Magic Johnson që fiton brenda një edicioni si titullin ashtu edhe trofeun MVP të sezonit, ndërkaq Draymond Green u bë i gjashti basketbollist që arrin triple – double në ndeshjen përmbyllëse të fazës finale pas lojtarëve të tillë si Magic Johnson, Larry Bird, James Worthy, Tim Duncan dhe LeBron James gjithsesi përsa i përket Mbretit James 30-vjecari nga Ohio u bë lojtari me rendimentin më të lartë në historinë e fazës finale, me 35,8 pikë, 13.3 rebound si dhe 8.8 asist për ndeshje. Në fund Steve Kerr bëhet i pari trajner që fiton titullin që në debutim, pas të madhit Pat Riley që triumfoi me Lakers në vitin 1982./ss/