Statistikat e dy fazave të para të Superiores

E publikuar: 24/12/2016 13:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

2 fazat e para të kampionatit konfirmuan edhe njëherë se edhe këtë sezon ashtu sic ka ndodhur shpesh në vitet e fundit gara për titullin kampion në Superiore do të jetë shumë e ashpër dhe ndoshta do ta na duhet të presim javën e 36-të që është njëkohësisht edhe e fundit për të mësuar se kush do të jetë skuadra kampione e sezonit 2016-2017. Parashikohet një betejë e fortë deri në sekondën e fundit mes tre skuadrave Kukësit, Partizanit dhe Skënderbeut por nga lufta për titull nuk mund të përjashtohet absolutisht Tirana edhe pse për momentin bardheblutë kanë 9 pikë më pak se Kukësi kryesues. Pas përfundimit të dy fazave të para është koha që klubet të bëjnë bilancet. Statistikat për momentin thonë që Kukësi kryeson me meritë jo vetëm për faktin se është skuadra e vetme që nuk ka pësuar humbje por ka edhe sulmin më të mirë të kampionatit. Me 23 gola të shënuar, 11 prej të cilëve mbajnë firmën e kroatit Pero Pejic, të besuarit e Ernest Gjokës janë edhe skuadra më produkitve deri në këtë fazë të kampionatit. Me 9 fitore dhe 9 barazime në 18 ndeshje Kukësi ka një pikë më shumë se Partizani në klasfikim.

Të Kuqtë për momentin me 19 gola të realizuar janë sulmi i tretë më i mirë sepse parakalohen edhe nga Flamurtari që ka realizuar 20 gola dhe nëse nuk do të ishte për ato 6 pikë që i janë hequr nga komisioni i disiplinës do të pozicionohej në vendin e 5-t me 1 pikë më shumë se Luftëtari që është surpriza e vërtetë e këtij sezoni. Megjithatë te Partizani i vendit të dytë mund të kapen te shprehja që përdorin shpesh trajnerët italianë se titujt ti jep mbrojtja dhe jo sulmi. Në këtë aspekt Partizani në 18 javët e para ka mbrojtjen më të mirë me vetëm 5 gola të pësuar. Nëse prapvija e të Kuqëve nuk do të fusë ujë edhe në 2 fazat e tjera dhe Caleb Ekuban do të vazhdojë të shënojë rregullisht, Partizani i ka të gjitha shanset për të fituar titullin kampion që i mungon që nga viti i largët 1993. Kukësi ndërkohë nuk ka vetëm sulmin më të mirë të kampionatit, por është edhe skuadra që ka grumbulluar më shumë pikë në shtëpi. Me 8 fitore dhe vetëm 1 barazim atë ndaj Tiranës, verilindorët kanë marrë 25 nga 36 pikët gjithsej në Zeqir Ymeri, duke bërë edhe më mirë se kampionët në fuqi të Skënderbeut në stadiumin e tyre. Partizani në krahun tjetër është skuadra më e mirë në transfertë me 5 fitore, 4 barazime dhe 1 humbje për një total prej 19 pikësh nga 35 gjithsej. Deri tani edhe stastistikat flasin në favor të verilindorëve dhe të Kuqëve që pozicionohen me meritë në 2 vendet e para të klasfikimit.