Statistika të tmerrshme: Për 3 vjet 10 mijë tentim vrasjeje në Kosovë

E publikuar: 30/10/2018 15:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Duart e kosovarëve po vazhdojnë të përgjaken dita-ditës. Përveç lëndimeve të rënda që po ia shkaktojnë njëri-tjetrit, shumë prej tyre po përfundojnë si vrasës. Institucionet e drejtësisë nuk po i shohin si zgjidhje, e dënimet kanë filluar t’i caktojnë vetë ata. Vetëm në tri vitet e fundit janë raportuar rreth 10 mijë raste të tentim-vrasjeve në tërë Kosovën. Prej gjithë këtyre rasteve, 82 kanë përfunduar me vrasje, shifër kjo që në 10 vitet e fundit arrin në 500 raste të tilla, shkruan Gazeta Express.
Gjithçka nisi para pesë vitesh. Në 2013-n, Gjakova u trondit nga vrasja që ndodhi në familjen Ahmeti në Smolicë të kësaj komune. 29-vjeçari, Ali Ahmeti, u vra me tre plumba nga axha i tij, Abaz Ahmeti.

Historia e njëjtë kësaj familje iu përsërit edhe këtë vit. Në këtë familje ndodhi një tjetër vrasje. Madje, më profesionalja që besohet se është kryer ndonjëherë në Kosovë.

Familjari i tyre, Haxhi Ahmeti, u vra në derën e shtëpisë së tij, nga persona ende të paidentifikuar.

Haxhiu kishte pak kohë që ishte kthyer nga Gjermania për disa ditë pushimi në Kosovë. Por, pushimi për të përfundoi më herët këtë vit. I njëjti ndërroi jetë pas një shpërthimi me eksploziv, i cili iu montua në derën e shtëpisë.

Vrasja në familjen Ahmeti është e fundit që ndodhi këtë vit, por jo e vetmja.

Duart e kosovarëve po vazhdojnë të përgjaken dita-ditës. Përveç lëndimeve të rënda që po i shkaktojnë njëri-tjetrit, shumë prej tyre po përfundojnë si vrasës.

Tani, as institucionet e drejtësisë nuk po i shohin si zgjidhje, e dënimet kanë filluar t’i caktojnë vetë ata.

Vetëm këtë vit, nga qytetarët e vendit janë kryer 28 vrasje, ndërsa janë regjistruar më shumë se dy mijë tentim vrasje. Ndërsa, për tri vitet e fundit, numri i vrasjeve arrin në më shumë se 80.

Ndërkohë, që edhe numri i rasteve të lëndimeve të lehta dhe të rënda trupore që janë shkaktuar nga armët e ftohta mbetet shumë i lartë. Për tri vitet e fundit, janë raportuar rreth 10 mijë raste të tilla.

Gjithë kjo sipas statistikave lidhur me lëndimet e lehta trupore, lëndimet e rënda dhe vrasjet që ka siguruar Gazeta Express nga Policia e Kosovës.

Në Policinë e Kosovës kanë treguar për Express se vetëm në 10 vitet e fundit në vend kanë ndodhur rreth 500 vrasje, e janë shkrepur me qindra plumba.

E edhe pse pothuajse çdo muaj në vend ndodhin dy e më shumë raste, në polici deklarojnë se në krahasim me vitet e kaluara ka rënie të numrit të vrasjeve.

Ndërsa, për moshën e personave dhe motivet e rasteve thonë se janë të ndryshme, gjersa deklarojnë se këto bëhen të ditura tek organet e drejtësisë.

Sipas sociologëve, arsyet kryesore të vrasjeve janë e drejta zakonore, apo gjakmarrja dhe numri i madh i armëve në duart e qytetarëve.

Shqetësuese, sipas tyre, është se ky fenomen pas vitit 1999 është në rritje.

Sociologu Ferdi Kamberi ka thënë për Gazetën Express se ky fenomen pas vitit 1999 është në rritje, ani pse një gjë e tillë sanksionohet me Kodin Penal të Kosovës.

“Vetëm gjatë vitit 2017 në Kosovë ka pasur rreth 24 vrasje të moshave të ndryshme, gjë që është tejet shqetësuese për një shoqëri të re si ajo e Kosovës. Edhe pse parimisht një gjë e tillë sanksionohet me Kodin Penal të Kosovës”, ka thënë Kamberi.

Prezencën e një numri të lartë të armëve në duar e qytetarëve, Kamberi po e sheh si një nga faktorët kyçë që shtynë drejt rritjes së numrit të vrasjeve.

Ndryshe, vetëm gjatë periudhës janar-nëntor të vitit të kaluar, Policia ka konfiskuar mbi 150 armë të llojeve të ndryshme. Ndërsa sipas të dhënave të përgjithshme pothuajse çdo vit Policia e Kosovës konfiskon nga 1200-1500 armë të llojeve të ndryshme.