Startup Grind Tirana rikthehet me të ftuar shqiptarin Armir Harris, CEO dhe themelues i Shofur

E publikuar: 19/09/2017 10:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas pushimeve të Verës, Startup Grind rikthehet me evenimentin e parë të këtij sezoni.

I ftuari i radhës është Armir Harris, CEO Shqiptar i cili zuri vendet në faqet e Business Insider dhe Inc Magazine si një prej drejtuesve të një prej kompanive me rritjen më të shpejtë në SHBA.

Suksesi i tij fillon si një refugjat. Amiri është themelues dhe CEO i Shofur, platforma më e madhe e rezervimit të autobusëve charter. Ata ofrojnë transport për pjesën më të madhe të kompanive Fortune 500 në 100 qytete në SHBA.

Shofur u themelua në 2012-ën me vetëm 800 dollar nga Armiri ndërsa punonte në kompaninë xhaxhait të tij.

Kur në Charlotte erdhi Konventa e Kombëtare e Partisë Demokratike dhe kërkuan një shërbim autobusësh charter për mbarë evenimentin, Harris grumbulloi mbi 60 mjete transporti.

Pas suksesit në konventë, Harris zhvilloi një platformë online për të lehtësuar procesin e rezervimit dhe lidhur konsumatorët me operatorët e autobusëve. Që nga 2017-ta, mbi 1,000 kompani janë bashku platformës me shërbime në 250 qytete në mbarë botën.

Kompania përjetoi rritje të shpejtë falë fokusit të veçantë në teknologji, gjë që e ka diferencuar nga të tjerat. Shumë publikime teknologjike kanë shkruar rreth platformës përfshirë Engadget dhe Skift.

Në Gusht të 2017-ës, Shofur renditej në mesin se 21 kompanive me rritjen më të shpejtë në SHBA nga Inc Magazine.

Takimi mbahet ditën e Marte më 19 Shtator në ora 5:30 pm pranë Qendrës Protik. Të interesuarit mund të sigurojnë pjesëmarrjen e tyre nga uebsajti i Startup Grind Tirana.

Takimi sillet nga Gerti Boshnjaku, CEO dhe themelues i News Media Communication dhe revistës së njohur të biznesit në Shqipëri, Bussines Magazine Albania, Aneida Bajraktari një personazh nga bota e financës dhe drejtësisë me një pasion të hekurt në inovacion dhe zhvillim komunitar dhe Stefan Koritar, Drejtor Rajonal i Startup Grind, Menaxher Produkti pranë Telenav dhe një entuziast i ekosistemit të startupeve.

Startup Grind është një komunitet global startup-esh mbështetur nga Google for Enterprenuers ndërtuar për të edukuar, inspiruar dhe lidhur sipërmarrësit.

Çdo muaj mbahen takime në më shumë se 150 qytete dhe 65 shtete me të ftuar sipërmarrës lokalë, themelues të kompanive dhe investitorë të cilët ndajnë me këtë komunitet historitë dhe mësimet që kanë nxjerrë nga një sipërmarrje. /PCWorld Albanian