Standarde sipas interesave, Uefa i dhuron 3 pikë Rusisë

E publikuar: 08/04/2015 21:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komisioni Disiplinor i organizmit europian të futbollit, i dha fitoren 3-0 në tavolinë Rusisë ndaj Malit të Zi për ndeshjen që u luajt deri në minutën e 66..

Uefa nuk i bën dot Rusisë atë që bëri me Shqipërinë. Komisioni Disiplinor i organizmit europian të futbollit, i dha fitoren 3-0 në tavolinë Rusisë ndaj Malit të Zi për ndeshjen që u luajt deri në minutën e 66 në 27 Mars në Podgoricë. Sic lexohet në komunikatën e Uefa-s Komisioni i Kontrollit Etikës dhe Disiplinës Mali i Zi humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0 si dhe dënohet për të luajtur ndeshjen e rradhës pa tifozë si dhe me një ndeshje tjetër pa tifozë me kusht, ndërsa u ndëshkua edhe me një gjobë prej 50 mijë eurosh. Takimi Mal i Zi – Rusi u ndëpre fillimisht që në minutën e parë pasi nga tifozët u godit me një fishekzjarr portieri rus Akinfeev, takimi gjithsesi rifilloi për tu ndërprerë më pas përfundimisht në minutën e 66 kur Shirokov humbi një penallti dhe filloi një zënkë mes lojtarëve ndërsa tifozët vendas filluan të hidhnin fishekzjarre e sende në fushë. Sic mund të shihet qartë në Malin e Zi ndodhi shumë më pak nga aktet e paprecedent të dhunës që u panë në Beograd ku vec hedhjes së sendeve të forta në fushë, në tapetin e blertë hynë dhe tifozë që bashkë me personelin e sigurisë goditën futbollistët e Kombëtares Shqiptare.

Megjithatë për atë ndeshje Uefa vendosi të ndëshkojë Shqipërinë me humbjen 3-0 në tavolinë. Vendimi i Uefas në lidhje me Malin e Zi dëshmon katërcipërisht dy standartet e përdorura nga qeveria europiane e futbollit që morri një vendim të paprecedent ndaj Shqipërisë për ndeshjen e ndërprerë të 14 tetorit në Beograd. Tashmë ndeshja Serbi-Shqipëri është objekt i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë dhe në seancën dëgjimore të 17 prillit me shumë gjasa vendimi i Uefas në lidhje me Rusinë do të shërbejë si një argument më tepër për Shqipërinë në kërkim të së drejtës së munguar në organet e Uefa-s.