Stagnim në ekonomi – Gjilani ka humbur 788 vende të punës në kohë pandemie

E publikuar: 22/07/2020 15:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komuna e Gjilanit ka përgatitur raportin e detajuar të dëmeve të shkaktuara në sektorin e ekonomisë gjatë përiudhës së përballjes me pandeminë globale Covid-19, bëhet e ditur nëpërmjet një njoftimi nga Zyra Për Informim e Komunës së Gjilanit.

Drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik në Gjilan, Valbona Tahiri, gjatë konferencës për media, ka thënë se masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës në mars të këtij viti, për kufizimin lëvizjes së qytetarëve, ndërprerjen e procesit mësimor në shkolla dhe universitete, ndërprerjen e pjesës dërmuese të aktiviteteve të bizneseve përfshirë mbylljen e plotë të disa prej tyre, kanë bërë që të ketë një stagnim në zhvillimin ekonomik edhe në Komunën e Gjilanit.

Tahiri ka njoftuar 69% të bizneseve pjesëmarrëse në hulumtim zhvillojnë afarizëm në qytet, 27% në fshatra dhe 4% prej tyre kanë degë të tyre jashtë territorit të Komunës.  Bizneset e anketuara sipas llojit jane  42 % biznese individuale, 38 % shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, 19 % fermerë ndërsa 1 % shoqëri aksionare. Veprimtaritë biznesore që i janë përgjigjur hulumtimit janë: sektori i shërbimeve me 31%, tregti dhe biznese bujqësore me 19% , bizneset prodhuese me 13% , hoteliere 8%, transportuese 4%, ndërtimore 3%, shëndetësore 2% dhe edukativo-arsimore me 1%.

“Pandemia ka ndikuar në humbjen e 788 vendeve të punës. Kemi një rënie prej 23% të numrit të gjithëmbarshëm të punëtorëve tek kompanitë e anketuara, kryesisht bizneset e mëdha dhe të mesme. E njejta situatë është deklaruar edhe nga bizneset e vogla. 46% e bizneseve kanë deklaruar rënie të nivelit të shitjes prej 90-100% dhe vetëm 1% e bizneseve të anketuara kanë deklaruar se niveli i shitjes ka qenë i njejtë” ka theksuar ajo.

Tutje, në elaborimin e saj, drejtoresha Tahiri ka thënë se shumica dërmuese e bizneseve (80%) kanë deklaruar se pandemia ka ndikuar në rënien e kërkesës për shërbime/produkte dhe vetëm 2% e biznese kanë deklaruar ndikim të ulët. 66% të bizneseve kanë shënuar mungesë të likuiditet, ndërsa 48% kanë deklaruar për pengesa në furnizime gjatë pandemisë.

“Hulumtimi gjenë se pandemia rrezikon më së shumti bizneset e vogla. Vetëm 8% e bizneseve mendojnë se mund të përballojnë situatën e pandemisë. 84% e bizneseve kanë deklaruar se nuk mund ta përballojnë situatën me pandemi dhe periudha maksimale që biznesi mund të operoj me rezutat pozitiv ose pa humbje është 3 deri 6 muaj, ndërsa 16% mund të oprojnë prej 3 deri 12 muaj. Shpresëdhënëse është fakti se vetëm 50% e bizneseve nuk do të pushojnë punëtorët nga puna”, ka potencuar ajo gjatë prezantimit.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri në fjalën ka thënë se shëndeti i ekonomisë në Gjilan është prioritet i lartë.

“Ekonomia private është njëra nga fokuset që ne kemi hulumtuar dhe sot kemi këto gjetje që tregojnë realitetin jo të mirë dhe i frikshëm dhe nëse nuk ndërhyhet me masa për ta parandaluar rritjen e dëmeve në sektorin e ekonomisë, bujqësisë dhe ndërmarrjet publike. 25 përqind zhdëmtim në bujqësi është jashtzakonisht pak, sepse aty punon një familje e tërë. Ratifikimi i marrëveshjeve financiare, rishikimi i buxhetit në leximin e dytë dhe hapave që Komuna do t’i ndërmarr janë masa që ndikojnë në rehabilitimin dhe ruajtjen e shëndetit ekonomik”, ka thënë kryetari në fjalën e tij.

Ndërsa drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, ka thënë se kanë vizituar të gjithë bujqit që merren me kultivimin e bimëve në serra dhe dëmi total i tyre është mbi 130 mijë euro vetëm në atë sektor, ndërsa zhdëmtimi prej 25 për qind është një vlerë shumë e ulët që edhe mund ta shkatërrojë tërësisht këtë fushë bujqësore.

Konkluzjonet e ekipit janë si vijon:

1.      Pakoja Fiskale Emergjente e miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës mund të ndikoj në afat të shkurtër në  tejkalimin e situates, mirëpo nuk mjafton për të kthyer ekonominë në binarë në aspektin afat gjatë,

2.      Pakoja për rimëkëmbjen e ekonomisë duhet të implementohet me kohë pasi ҫdo vonesë eventuale në zbatim do të ketë domino efekt negativ më vonë;

3.      Investimet publike në periudhën afat-mesme të orientohen në projekte – infrastrukturë e butë me ndikim në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe gjenerimin e vendeve të reja të punës;

4.      Të krijohen lehtësira për biznese të cilat kanë plane për zgjerim të kapaciteteve dhe krijim te vendeve te reja te punës;

Programi i Komunës së Gjilanit me masa lehtësuese është:

1.      Të lirohen nga ngarkesa e taksës komunale të gjitha bizneset që operojnë në territorin e komunës së Gjilanit për vitin 2020, përjashtimisht borxheve nga vitet paraprake;

2.      Të lirohen nga pagesa e tarifave shfrytëzuessit e hapësirave komunale që përdoren për parkingjeve për një periudhë 6 mujore,

3.      Të lirohen nga pagesa e qirasë për një periudhë prej 12 muajsh qiramarrësit e lokaleve afariste në pronësi të komunës që nuk kanë kryer veprimtarinë e tyre të rregullt me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë;

4.      Të lirohen për një periudhë prej 12 muajsh qiramarrësit e tezgave të tregjeve mobile (bujqit)

5.      Të shtyhet pagesa e tarifave për legalizimin e objekteve për një periudhë 3 mujore për tatimpaguesit që kanë lidhur kontrata, me dinamikë pagese në këste (sipas kërkesës). Interesi për borxhet nuk do të ngarkohet për periudhën e caktuar;

6.      Të gjithë kontraktuesve (operatoreve ekonomik) të cilët nuk kanë qenë në gjendje të kryejnë punën brenda afatit kontraktual, si pasoj e mungesës së materialeve dhe fuqisë punëtore, do t’u zgjatet afati i përfundimit, për dy muaj në mënyrë që të shmanget pagesa e gjobave për mos përmbushje të detyrimeve të përcaktuara me kontratë.