Sporti në bllokadë, MKRS-ja ka premtuar mjete më shumë se që posedon

E publikuar: 01/08/2017 08:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Federatat e sportit të Kosovës janë para kolapsit. Aktivitetet e tyre po rrudhen ose po kryhen me borxhe.

Kjo pasi shumica prej tyre nuk i kanë marrë mjetet e tremujorit të dytë, bazuar në memorandumet që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka nënshkruar me to për mbështetje të aktiviteteve të tyre gjatë vitit 2017, shkruan sot “Koha Ditore”. MKRS-ja ka nënshkruar memorandume me 27 federata dhe Komitetin Olimpik (KOK) e Paralimpik (KPK) të Kosovës.

Të gjitha këto, do të duhej të kishin marrë këstin e dytë të mjeteve, meqë tash janë futur në tremujorin e tretë.

Drejtori i Departamentit të Sportit pranë MKRS-së, Ibër Alaj, ka thënë se e ka të ndaluar të flasë. Ndërkohë, gazeta nuk ka arritur të vërë kontakte me sekretarin e përgjithshëm të MKRS-së, Veton Firzi, kurse shefi i kabinetit të ministrit në largim Kujtim Shala, Ndue Ukaj, nuk kishte shumë njohuri për situatën.