Specialja lavdëron gazetarët që nuk publikuan dosjet, akuzon OVL-në për “minim të drejtësisë”

E publikuar: 22/09/2020 20:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëdhënësi Prokurorisë së Specializuar, Christopher Bennett, përmes një komunikate ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit që kanë të bëjnë me dosjet e dorëzuara në Organizatën e Veteranëve të Luftës të UÇK-së.

Bennett ka thënë se gjatë javëve të fundit zyra e tij ka marrë shumë pyetje nga gazetarët në lidhje me deklarata të bëra nga Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së, e cila, sipas tij, “në një numër rastesh është përfshirë në aktivitete, që unë besoj se kanë për qëllim të minojnë administrimin në mënyrën e duhur të drejtësisë”.
“Gjatë kësaj kohe unë kam vënë re gjithashtu profesionalizmin e lavdërueshëm dhe integritetin etik të gazetarëve të Kosovës dhe komentatorëve të tjerë publikë, shumë prej të cilëve kanë folur qartë se si aktivitete të tilla minojnë sundimin e ligjit dhe kursin e drejtësisë”, ka thënë Bennett, transmeton Telegrafi.

“Dua të shfrytëzoj këtë mundësi për të lavdëruar gazetarët me etikë në të gjithë Kosovën të cilët nuk kanë pranuar të botojnë dokumentet që iu dhanë, si dhe numrin e madh të gazetarëve të cilët vullnetarisht na kanë dhënë dokumentet që ata morën nga Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së dhe kanë pranuar publikisht se pjesëmarrja në shpërndarjen e një informacioni të tillë mund të ishte krim sipas Kodit Penal të Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Më tej Bennett thotë se Zyra e Prokurorisë së Specializuar është e angazhuar për të hetuar dhe ndjekur penalisht me forcë individë që kryejnë krime të tilla, që përfshijnë publikimin e identitetit të individëve që mund të thirren para gjykatës apo të ndonjë informacioni që mund të çojë në identifikimin e tyre.

“Gjatë këtyre javëve të fundit zyra ime ka marrë shumë pyetje nga gazetarët në lidhje me deklarata të bëra nga Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së e cila në një numër rastesh është përfshirë në aktivitete që unë besoj se kanë për qëllim të minojnë administrimin në mënyrën e duhur të drejtësisë”, thuhet në deklaratë.

OVL e UÇK-së tri herë ka pranuar disa dokumente, që pretendon se kanë të bëjnë me Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë.

Përmbajtja e këtyre dokumentave nuk është e qartë dhe nuk dihet nëse ato janë origjinale.

Identiteti i personit, i cili, sipas OVL-së, ka dërguar në këtë organizatë “mijëra dosje me dëshmi dhe emra dëshmitarësh”, vazhdon të jetë anonim.