Specialistët e Psikologjisë Klinike paralajmërojnë protesta

E publikuar: 14/07/2018 17:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Ministrin e Shëndetësisë thonë se ata kanë ndërmarr hapa konkretë për të gjithë specialistët, duke i përfshirë edhe kategorinë e psikologëve klinik.

Kryetari i Bordit të Shoqatës Kosovare për Psikodiagnostikë dhe Psikoterapi, Imri Zabeli thotë se nga ministri Uran Ismajli kanë marr premtimin për punësimin e tyre.

Tutje ai shton se ata janë lodhur nga pritjet, ndërsa tani presin nga ministri Ismiali veprime konkrete.

“Pritjet tona thjeshtë domethënë ne jemi lodhur me këto pritje dhe tashmë në njëfarë forme ne kemi mbetur në rrugë, atëherë i kemi drejtuar një kërkesë publike ministrit Ismaili, mos ta kuptojnë kërkesën publike tonën si çfarëdo interpretimi tjetër, përveç interpretimit që ne kemi nevojë për punësim dhe institucionet kanë nevojë për specialistë të Psikologjisë Klinike. Ne kemi vlerësuar zotimin e ministrit po kërkojmë që tashmë ministri këto zotime ti kthen në veprime konkrete, çështja e specialistëve të Psikologjisë Klinike nuk është komplekse marr parasysh ndoshta me profesionet tjera të specializimit për arsye se në nivel vendi ka nevojë për specialist të psikologjisë klinike”, thotë Zabeli, për KosovaPress.

Zabeli po ashtu u shpreh se kërkesat e tyre i kanë drejtuar edhe tek Bordi i SHSKUK-së, por ky i fundit nuk ka marr ndonjë vendim, pasi që këtë ia ka bartur drejtorit të SHSKUK-së, Basri Sejdiut.

Specialistët e Psikologjisë Klinike ndonëse mbesin me shpresë se do punësohen, paralajmërojnë edhe protesta nëse ndodh e kundërta.

“Prapë ne jemi me shpresë që ministri ka me realizua premtimin dhe zotimin që ka dhënë, jemi optimist që ka me realizua. Ne nuk do kishim dashur që kjo gjë të mos ndodh për arsye se ne nuk kemi opsion tjetër, ne aktualisht jemi të papunë mund të themi jemi në rrugë, veç rrugës nuk kemi opsion tjetër, i kemi shfrytëzuar të gjitha mundësitë me kërkesa drejtuesve të institucioneve, kemi realizua gjithë pritjen e nevojshme që ndoshta i është dashur ministrit… E fundit më nuk kemi opsion tjetër përveç se me kërkua punësimin tonë në rrugë dhe në mënyrë publike, të drejtën tonë për punësim”, thotë ai.

Faik Hoti nga Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se ata kanë ndërmarrë hapa konkret për punësimin e të specialistëve të papunë, po që sipas tij, institucionet shëndetësore janë ato që vendosin për punësimin e specialistëve.

“Me marrjen e mandatit ministri i Shëndetësisë ka premtuar se do të krijoj kushte sa më të volitshme në mënyrë që të gjithë specialistët e papunë pavarësisht prej cilit profil shëndetësor vijnë të punësohen. Në këtë aspekt ka pasur edhe hapa konkret sepse siç e dini para disa muajsh Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka hapur konkurs për rekrutimin e specialistëve të ndryshëm nga lëmi të ndryshme, dhe në fakt ata kanë rekrutuar ato profile për të cilat kanë konsideruar që në këtë fazë janë më të nevojshme. Përkushtimi i ministrisë që të krijoj kushte për specialistët e papunë duke përfshirë edhe kategorinë të cilës i referoheni do të vazhdoj dhe do të jenë institucionet ato të cilat vet do i kërkojnë profilet për të cilat kanë nevojë. Është evident fakti se po bëhen përpjekje që pozita materiale e mantelbardhëve të përmirësohet dhe në këtë aspekt mendohet edhe për krijimin e kushteve për rekrutime të reja. Pra thjesht është nj proces i vazhdueshëm dhe dinamik i cili do i përfshij të gjitha profilet shëndetësore”, deklaron ai.

Punësimi i psikologëve në Qendrat e Mjekësisë Familjare, është i nevojshëm, këtë e thotë kryeshefi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Sami Uka.
Sipas tij, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familje në kryeqytet dhe 16 njësitë e saj nuk kanë të punësuar asnjë psikolog klinik, pasi që kështu thotë ligji për shëndetësi.
“Aktualisht as Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare e as Qendrat e Mjekësisë Familjare 16 prej tyre që funksionojnë në kuadër të QKMF-së nuk kanë psikolog të punësuar. Ne kemi vetëm një sociologe të punësuar këtu dhe sipas organogramit dhe akteve nënligjore të bazuar në ligjin për shëndetësi të Republikës së Kosovës nuk është paraparë që Psikologu Klinik të jetë pjesë e ekipit të kujdesit parësor shëndetëso. Natyrisht në një fazë të caktuar të zhvillimit të sistemit shëndetësor të Kosovës nuk është e tepërt me pas edhe psikolog edhe kuadro të tjera të cilat mund të kryejnë funksione dhe me pasurua dhe begatu gamën e shërbimeve shëndetësore që ofrohen në QKMF. Mirëpo, për momentin një gjë e tillë nuk është paraparë, natyrisht edhe ne si profesionist shëndetësor, si mjek familjar e përshëndesim një iniciativë të tillë nëse në një të ardhme të afërt ka mundësi me u sigurua buxhet dhe ka mundësi me u sigurua një funksionim adekuat i Psikologëve Klinik në kuadër të kujdesit parësor shëndetësor , sepse ajo edhe neve si mjek familjar na e lehtëson punon dhe na siguron një bazë të vendimmarrjes klinike më të mirë, më të bazuar në dëshmi”, thotë Uka.

Ndryshe, javë më parë specialistët e Psikologjisë Klinike i kanë dërguar letër publike Ministrisë së Shëndetësisë, përmes së cilës kërkuar nga ministri Uran Ismaili që t’i punësojë ata, ku pretendojnë se ky i fundi pas marrjes së mandatit iu premtoi punësim.