Spanjë, vriten 5 terroristë që po përgatisnin tjetër masakër

E publikuar: 18/08/2017 08:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pa kaluar ende 12 orë nga masakra në Barcelonë, 5 persona të dyshuar si terroristë janë vrarë nga policia spanjolle në qytetin Kambrils.

Qëllimi i tyre ishte të organizonin të tjera sulme si ai i pasdites së të enjtes.

Që të pestë personat mbanin veshur jelekë kamikazë me eksplozivë. Policia iu vu pas duke i qëlluar për vdekje, ndërkohë që të plagosur kanë mbetur edhe disa agjentë.

13 vetë humbën jetën dhe mbi 100 të tjerë u lënduan pasi një furgon hyri në zonën e famshme turistike të Barcelonës, “Las Ramblas”, duke përplasur kalimtarët e duke ngjallur tmerr dhe panik në zonë.

Dy janë të arrestuarit në lidhje me ngjarjen, ndërkohë që raportohet se shoferi i furgonit ka mundur të arratiset. Policia publikoi gjatë orëve të natës foton e një personi të quajtur Driss Oukabir Soprano, që mendohet se ka marrë me qira furgonin e përdorur për ta përplasur mbi këmbësorët, por pak orë më vonë, Dris Soprano u shfaq në polici për të denoncuar vjedhjen e dokumenteve të tij.

Shteti Islamik pranoi se qëndron pas sulmit nëpërmjet një deklarate të publikuar në agjencinë e lajmeve Amaq, por nuk dha prova apo detaje të mëtejshme që të mbështeste këtë pretendim.