Spanja kundër ndryshimit të kufijve, njeh Kosovën nëse bën marrëveshje me Serbinë?

E publikuar: 20/09/2018 12:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Spanja do ta njohë Republikën e Kosovës si shtet, në rast të arritjes së një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Megjithatë shteti spanjoll e kundërshton idenë e shkëmbimit të kufijve si zgjidhje përfundimtare ndërmjet dy shteteve, transmeton Gazeta Express.

Siç shkruan gazeta spanjolle “Moncloa’, Spanja është duke e përgatitur njohjen diplomatike të Republikës së Kosovës.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Spanjës janë njoftuar në detaje lidhur me ecurinë e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, dhe pritet që një marrëveshje historike ndërmjet dy vendeve të arrihet brenda katër apo gjashtë muajsh.

E nëse do të arrihet kjo marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Spanja do të lëviz përpara duke e njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Gazeta shkruan se Spanja është kundër idesë së propozuar nga Thaçi dhe Vuçiq për ndryshim të kufijve, pasi mendojnë që një gjë e tillë mund të përdoret si precedent nga nacionalistët në Kataluni, të cilët mund të kërkojnë njohje ndërkombëtare më vonë.