Spalletti lëvdon angazhimin e lojtarëve të tij

E publikuar: 07/11/2018 02:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Trajneri i Interit, Luciano Spalletti, e ka komentuar lojën e skuadrës së tij kundër Barcelonës duke e lëvduar njëherësh edhe ekipin kundërshtar.

Katalunasit e dominuan sfidën në Giuseppe Meazza dhe arritën të shënojnë një gol përmes Malcom, mirëpo Mauro Icardi reagoi shpejt për ta barazuar rezultatin.

“Po të shkonte loja 0-0 deri në fund, atëherë ky gol do të ishte i papritur, mirëpo reagimi i djemve ishte vendimtar”.

“Ata shkuan përpara dhe pasi Icardi e shënoi golin, ai e mori topin nga rrjeti dhe i ktheu të gjithë në qendër, sepse kishin mbetur edhe disa minuta dhe ai dëshironte fitore”.

“Vuajtëm në gjysmën e parë, sepse ashtu si në Camp Nou, kishim probleme me mbajtjen e topit. Shkuam në kundërsulm disa herë dhe i shkaktuam disa probleme Barcës, por ishte shumë vështirë për ne që të hiqnim barrën dhe ta mbanim topin më gjatë. Në atë pjesë, Barcelona është akoma më e fortë se kushdo tjetër”.

“Ata janë shumë të mirë në pasime dhe në shmangien e mbrojtësve, është vërtet mahnitëse t’i shohësh nga jashtë fushës. Tempi është shumë i mirë, sepse nëse u bën presion, atëherë të godasin menjëherë në hapësirat e mbetura prapa”.

“Barcelona ishte afër që të shënonte dy ose tri herë, por skuadra luajti me kurajë dhe pati qëndrimin që e dëshironte publiku, prandaj jemi të kënaqur për këtë”, ka deklaruar Spalletti pas ndeshjes. /Telegrafi/