Sot ulet TVSH për produkte esenciale në 8 %

E publikuar: 01/09/2015 11:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Duke filluar nga sot, të gjitha produktet esenciale do të kenë masën e TVSH-së 8%, nga 16% sa ishte më parë.

Qeveria e Kosovës, ka ulur TVSH-në (Tatimin mbi vlerën e shtuar) për disa lëndë të para dhe produkte esenciale në mënyrë që të ulet barra financiare për shtresat në nevojë.

Ulja e normës së TVSH-së është në kuadër të zbatimit të pakos së re fiskale (Ligjin për Tatimin e Vlerës së Shtuar, Ligjin për Tatimin në të Ardhurat Personale si dhe Ligjin për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave).

Drithi, mielli dhe produktet e këtyre duke përfshirë bukën dhe prodhimet e ngjashme me të, do të jenë me TVSH 8%. I njëjti tatim do të jetë edhe për vajin për gatim, qumështin, vezët dhe kripën, transmeton Klan Kosova.

Edhe shërbimet publike si furnizimi me ujë, energjia elektrike dhe ngrohja qendrore do të kenë TVSH vetëm në masën 8%.

Sipas pakos së re fiskale, Ligji për Tatimin e Vlerës së Shtuar do të përcakton dy norma të TVSH-së, norma standarde e TVSH-së 18 % dhe norma e reduktuar e TVSH-së, 8 % që do të thotë se për produkte të tjera, për të cilat nuk ka ulje apo largim të TVSH-së, ky tatim do të rritet në masën 18%.