Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka nënshkruar Rregulloren për Themelimin dhe Administrimin e Parkut Arkeologjik “Ulpiana”, nëpërmjet së cilës themelohet Parku Arkeologjik “Ulpiana” dhe përcaktohen mekanizmat për administrimin e tij.
Ky është parku i parë arkeologjik i themeluar ndonjëherë në Kosovë dhe si i tillë, paraqet vlerë të jashtëzakonshme për trashëgiminë kulturore të vendit tonë.
Parku Arkeologjik “Ulpiana” ka status të mbrojtjes së përhershme dhe është një nga lokalitet e rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Kosovës.
Ministri Kujtim Shala u shpreh se Parku Arkeologjik “Ulpiana” themelohet për mbrojtjen dhe ruajtjen e pasurisë arkeologjike, se ai është në funksion të njohjes, promovimit dhe afirmimit të trashëgimisë kulturore të Kosovës, me shenja nga më të hershme të identitetit tonë.
Parku Arkeologjik “Ulpiana“ shtrihet në komunën e Graçanicës, zona kadastrale Graçanicë, ka perimetër 161.10 ha dhe zonë rrethuese 96.23 ha.
Ky park është pjesë përbërëse e trashëgimisë kulturore të Republikës së Kosovës dhe është nën administrimin e drejtpërdrejtë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Departamentit të Trashëgimisë Kulturore.
Parku Arkeologjik “Ulpiana” do të promovohet sot me një ceremoni solemne dhe i pranishëm do të jetë edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.