Sot pritet të zgjedhet Avokati i Popullit

E publikuar: 26/03/2015 10:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kuvendi i Republikës së Kosovës sot, në seancën e rregullt plenare, pritet ta zgjedhë Avokatin e Popullit.
Në garë për Avokat të Popullit janë Mazllum Baraliu, Suzan Novoberdaliu, Shqipe Mala dhe Veton Vula.

Sipas Ligjit për Avokatin e Popullit, Avokati i Popullit zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të tij për një mandat pesë (5) vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje. Po në këtë seancë pritet të emërohet një anëtar i Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës, si dhe të shqyrtohet rekomandimi i Komisionit të posaçëm për zgjedhjen e një gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Krejt në fund të kësaj seance plenare do të zhvillohet një debat parlamentar për Radiotelevizionin e Kosovës (RTK).

Ndërsa nesër (e premte) do të mbahet interpelanca e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, për përgjegjësinë kushtetuese të Qeverisë së Kosovës lidhur me themelimin e Gjykatës Speciale, sipas kërkesës së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!