Sot përfundon afati për dekretimin e ligjit të gjuhëve nga Ivanov

E publikuar: 22/03/2018 00:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot përfundon afati tetë ditor që presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, ka në dispozicion për të firmosur dekretin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Sipas kryeparlamentarit, Talat Xhaferi, ligji mund të publikohet në Gazetën Zyrtare edhe pa nënshkrimin e presidentit Ivanov.

Nga Gazeta Zyrtare kanë thënë se nga Kuvendi ende nuk kanë pranuar kërkesë për publikimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ndërsa shërbimet e Kuvendit nuk zbulojnë se kur planifikojnë të dërgojnë ligjin.

“Nuk mund të japim informacione rreth situatave që ende nuk kanë ndodhur.Pra, ende nuk ka ardhur kërkesë për publikimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Gazetaën Zyrtare”.

VMRO-ja opozitare këmbëngul se shpallja e ligjit në Gazetë Zyrtare pa nënshkrimin e presidentit paraqet vepër penale, shkruan Zhurnal.mk.

Ligji për përdorimin e gjuhëve u miratua me 64 vota “pro”më 14 mars në lexim të tretë nga Kuvendi i Maqedonisë.