Sot kandidat për kryetar komune, dikur Fehmi Ferati me humor thoshte se anëtarët e VV-së janë “lesh dhe hallakamë”! (Video)

E publikuar: 20/09/2017 13:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot kandidat për kryetar nga Lëvizja Vetëvendosje, Fehmi Ferati, dikur nuk është se “kishte fjalë të mira” për këtë parti, përkatësisht për anëtarët e saj.

Në një nga seritë e programit humoristik “ShowMeselation” ku edhe ai ishte protagonist, përcjell Telegrafi, në rolin e “profesor doktorit të partive politike, Ajnshtajn Muharremi” ai luante rolin e mjekut i cili përcaktonte “diagnoza” për anëtarët e partive.

Pas disa “diagnozave”, kur kishte ardhur tek një i radhës, edhe pse nuk e kishte në ordinancën e tij, ai kishte thënë se disponon një pajisje e cila mund t’i identifikojë ata edhe pa prezencën e tyre, në rrugë.

Dhe me pajisjen e tij të quajtur nga ai si “identoskopi”, ai kishte thënë se kishte identifikuar një “anëtar të Vetëvendosjes”.

Edhe pse ka thënë se bëhet fjalë për një anëtar “jodinak”, ai ka shtuar se “është një anëtar i Vetëvendosjes, i papërkufizum”.

“Nuk mundemi me i ra në fije assesi – dhe për këtë diagrami është lesh, hallakamë”, ka thënë Ferati. /Telegrafi/