Sokoli: Spanja nuk ka siguri dhe me këtë lojë nuk bind për të qenë favorit

E publikuar: 21/06/2018 04:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lajmin se përzgjedhësi i Spanjës, Julen Lopetegui, ka nënshkruar për ta marrë drejtimin e Real Madridit, nuk e pranoi aspak mirë Federata Spanjolle e Futbollit, e cila e shkarkoi trajnerin në prag të fillimit të Kampionatit Botëror.

Drejtimin e përfaqësueses e mori legjenda e Real Madridit, Fernando Hierro, i cili paraprakisht kishte qenë drejtor në kombëtare.

Ky ndryshim ka shkaktuar pasiguri në skuadrën e La Rojas, të cilës duket se po i mungon karakteri. Kështu ka thënë trajneri dhe analisti i futbollit, Bylbyl Sokoli, në emisionin Dueli Botërorit në RTV Dukagjini.

Dueli Botërorit, dita e shtatë (Foto: YouTube/Dukagjini)

Në ndeshjen e parë në kuadër të Grupit B të Kampionatit Botëror, Spanja barazoi (3-3) kundër Portugalisë, ndërsa në xhiron e dytë, arriti një fitore të vështirë (1-0) kundër Iranit.

“Ekipi i Spanjës është shumë labil në aspektin e karakterit. Unë po mendoj se një gol i shënuar me këtë ekip të Iranit është shumë pak. Nuk ishte lojë e sigurt (e Spanjës) pati shumë probleme në përfundim të aksionit dhe u pa që Spanja nuk ka siguri”, është shprehur Sokoli.

Sipas tij, këto çrregullime kanë ardhur pikërisht për shkak të ndërrimit të trajnerit.

Me këtë lojë, Sokoli ka theksuar se Spanja nuk bind për të qenë një prej pretendentëve për ta fituar Kupën e Botës këtë vit.

Emisioni Dueli Botëror transmetohet çdo ditë nga ora 22:30 në RTV Dukagjini dhe i kushtohet Kampionatit Botëror, ndërsa udhëhiqet nga Arta Nitaj dhe Fisnik Zymi. /Telegrafi/