Sokoli: Kroacia ka pasur probleme me trajnerë, fitorja e Francës duhej të ishte më bindëse

E publikuar: 17/06/2018 00:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në emisionin Dueli i Botërorit që transmetohet në RTV Dukagjini, Bylbyl Sokoli i ka dhënë opinionet e tij për ndeshjet e zhvilluara ditën e shtunë, në fazën grupore të Kampionatit Botëror.

Në kuadër të ditës së tretë të turneut më të madh të fubtollit që po zhvillohet në Rusi u zhvilluan katër ndeshje, të cilat u komentuan nga panelistët Bylbyl Sokoli (trajner/analist), Arbnora Ademaj (gazetare/moderatore), Kushtrim Demiri (KD Events), Agi Haxhimurati (dizajner) dhe Dukagjin Rudari (gazetar).

Me rezultat 2-0, Kroacia e mposhti Nigerinë duke marrë kryesimin e Grupit D me tri pikë, para Argjentinës dhe Islandës, ndërsa Bylbyl Sokoli mendon se Zlatko Dalic është një trajner i pranueshëm nga skuadra.

“Kroacia në vitet e fundit ka pasur probleme me trajner, por unë mendoj se Dalic është i dëshirueshëm nga grupi. Kjo për një arsye, sepse ndoshta është shansi i fundit që kjo gjeneratë të arrij diçka më shumë”, është shprehur Sokoli.

Ai e ka komentuar edhe fitoren e Francës (2-1) kundër Australisë, për të cilën ka thënë se nuk ishte aq bindëse.

“Mendoj se kjo fitore e Francës është shumë e rëndësishme, sepse ndaj një ekipi çfarë është Australia, rezultati duhet të jetë më bindës”, ka thënë trajneri.

Arta Nitaj dhe Fisnik Zymi janë prezantues të emisionit Dueli i Botërorit që transmetohet në RTV Dukagjini çdo ditë nga ora 22:30 dhe i kushtohet Kampionatit Botëror. /Telegrafi/