Sokoli: Gjermania do të rikthehet – Munishi: Meksika ka lojtarë shumë të shpejtë dhe teknikisht të përsosur

E publikuar: 18/06/2018 06:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në emisionin Dueli i Botërorit që transmetohet në RTV Dukagjini, Bylbyl Sokoli dhe Ismet Munishi kanë dhënë opinionet e tyre për ndeshjet e zhvilluara ditën e diel, në fazën grupore të Kampionatit Botëror.

Në kuadër të ditës së katërt të turneut më të madh të futbollit që po zhvillohet në Rusi, u zhvilluan tri ndeshje, të cilat u komentuan nga panelistët Blerand Stavileci (ish-ministër i Zhvillimit Ekonomik/President i klubit basketbollistik Prishtina), Bylbyl Sokoli (trajner), Ismet Munishi (trajner) dhe Valdete Mustafa (dizajnere).

Bylbyl Sokoli (Foto: YouTube/Dukagjini)

Befasia e ditës ishte humbja e kampionit në fuqi, Gjermanisë, nga Meksika me rezultat 1-0, ndërsa Bylbyl Sokoli është shprehur i bindur se Die Mannschaft do ta kalojën grupin.

“Jam i sigurt që Gjermania do të rikthehet, sepse e ka atë qetësinë, atë kontrollin që i duhet grupit dhe jam shumë i sigurt që Gjermania do t’u kthehet rezultateve dhe jam i bindur se do të kualifikohet tutje”, është shprehur Sokoli.

Ismet Munishi (Foto: YouTube/Dukagjini)

Nga ana e tij, Munishi ka thënë se e kishte pritur lojën e Meksikës me kundërsulme dhe i është referuar deklaratës së trajnerit Juan Carlos Osorio si shumë serioze. Por, sipas tij, largimi i një lojtari shumë të rëndësishëm ia pamundësoi ta shënonte edhe golin e dytë.

“Analistët e quajnë Meksikën, ‘Brazili i vogël’. Meksika ka lojtarë shumë të shpejtë, teknikisht të përsosur”, ka thënë Munishi duke sqaruar se që lojtarët gjermanë nuk mund t’i arrinin dhe meksikanët dilnin shumë shpejt në kundërsulme, duke e bërë në mënyrë të përsosur tranzicionin nga faza e mbrojtjes në fazën e sulmit.

Stavileci ka thënë se në të gjitha Kampionatet Botërore, Meksika është gjithmonë një skuadër që ka merituar respekt.

Blerand Stavileci (Foto: YouTube/Dukagjini)

Ndryshe, Arta Nitaj dhe Fisnik Zymi janë prezantues të emisionit Dueli i Botërorit që transmetohet në RTV Dukagjini çdo ditë nga ora 22:30 dhe i kushtohet Kampionatit Botëror. /Telegrafi/