SleepHero, aplikacioni që vë foshnjat në gjumë

E publikuar: 20/05/2015 02:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shumë prindër mbesin pagjumë për shkak të foshnjës së tyre që zgjohet gjatë natës dhe fillon të qajë. Një aplikacion i ri për telefonat inteligjentë do të ofrojë një zgjidhje për këta prindër që të vënë në gjumë fëmijët e tyre.

Aplikacioni SleepHero do të këndojë ninulla për foshnjat gjatë natës. Përveç tingujve të ndryshme zanore, si cicërimat e zogjve për shembull, prindërit mund të regjistrojnë edhe zërin e tyre duke lexuar një libër ose kënduar një ninullë, për të qetësuar fëmijën dhe për ta vënë atë në gjumë gjatë natës. Aplikacioni do të aktivizohet automatikisht sapo të dëgjojë zhurma nga të qarat e fëmijës.

Aplikacioni është krijuar nga Rob Tong, një prind i cili vendosi të gjejë një zgjidhje për netët pa gjumë që e kishte lënë djali i tij Freddie.

“Ashtu si pjesa më e madhe e prindërve, edhe ne kemi ndenjur shumë netë pa gjumë. Kemi provuar shumë teknika, por më në fund kuptova se vetëm ninullat mund ta vinin djalin në gjumë.”

Aplikacioni është projektuar për fëmijët deri në moshën 3 vjeç. Ai përdor mikrofonin tek telefoni inteligjent për të zbuluar kur fëmija zgjohet dhe fillon të qajë. Aplikacioni mund të shkarkohet falas në pajisjet iOS.

Sigurisht që aplikacioni nuk do t’ju ndihmojë kur fëmija ka nevojë të ushqehet apo të ndërrohet.