Skënderbeu kampion i Shqipërisë, Korça në festë

E publikuar: 22/05/2015 21:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ky trofe është prej ari. Askush si Skënderbeu në futbollin shqiptar, në qiellin e ndezur të Korcës skuadra Korcare feston arritjen historike, merr në dorëzim trofeun e pestë rradhazi . Kampionë të Shqipërisë, një sukses i jashtëzakonshëm që meriton celebrimet më te vcecanta pas një sezoni të luftuar, të vuajtur, e të rivalizur, por në fund plotësisht të merituar nga një skuadër që diti të bëjë të pamundurën realitet.

Eshtë titulli i Ardian Takajt, arkitetit të këtij projekti , njeriut që ruajti qetësinë e besoi edhe ne momentet më të vështira, është titulli i Mirel Josës timonierit të pashembullt që menaxhoi me sukses edhe momentet e vështira kur të gjithë thonin Skënderbeu është në krizë.

Është titulli i pestë rradhazi për kapitenin Shkëmbi, emblemën e kësaj skuadre, e po ashtu për Orges Shehin e Renato Arapin, askush si ata në futbollin shqiptar, është titulli i Vangjelit, Berishës, Prognit, Lilajt, Radas, Osmanit,: Latifit , por edhe Olayianikës që u deturua të lërë në mes misionin per shkak të pezullimit.

58 gola të shënuar, sulmi i dytë më i mirë i kampionatit me vetëm një rrjetë më pak se Kukësi, vetëm 18 të pësuar, mbrojtja absolutisht më e mirë e këtij sezoni. 24 fitore, 7 barazime dhe vetëm 5 humbje . Janë këto statistikat e skuadrës që triumfoi në një nga kampionatet më të rivalizuar të historisë, me vulën e artë, në kuptimin e plotë të fjalës, pasi ky është trofeu i larë në ar, është titulli i pestë rradhazi kampion, i gjashti në historinë e Skënderbeut.

Filloi me lavdinë e shpalosur në tribunën e ujqërve ndeshja e fundit e kampionatit përballë Vllaznisë, në banderola të gjithë titujt e kësaj epoke të pashoqe, në fushë paradë nderi me protagonistët e saj, me Ardian Takajn, Mirel Josën dhe ekipin e Skënderbeut që u shpallën “Qytetarë Nderi” të Korcës para ndeshjes me Vllazninë. Skuadra shkodrane në fakt nuk bëri ndonjë gjë më tepër se atë që ishte realisht, të ftuarën në festë dhe kronika e ndeshjes shikon, tifozët që festojnë që në minutën e 11 me golin e Bernard Berishës që edhe një herë është aty ku duhet për të përfituar nga topi i kthyer pas goditjes së Latifit , ndërsa në minutën e 42 vjen edhe goli Prognit që merr një krosim nga Vangjeli kontrollon dhe gjuan për të shfaqur pjekurinë që ka fituar në Korcë në sezonin që gjeti titullin kampion pasi e kërkoi pa sukses në Vlorë e Kukës. 2-0 dhe kaq mjafton për ndeshjen e fundit të kampionatit. Korca është e tëra në festë./supersport.al/