Skenari për ratifikimin e demarkacionit në muajin mars, deklarohet Qeveria Haradinaj

E publikuar: 30/09/2017 12:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj në një intervistë për një të përditshme austriake ka thënë se marrëveshja për kufirin me Malin e Zi, pritet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës gjatë muajit mars të vitit të ardhshëm. Por Qeveria e Kosovës thotë se është në pritje të të gjeturave shkencore nga Komisioni i ri për Demarkacionin. Halil Matoshi që është pjesë e kabinetit Haradinaj, ka bërë të ditur për Express se vetëm pas kësaj do të vendoset për hapat ë mëtutjeshëm.
Qeveria e Kosovës gjithçka për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi ua ka lënë në dorë Komisionit të ri për Demarkacionin që e udhëheq Shpejtim Bulliqi. Ramush Haradinaj po pret të marrë vendim vetëm pasi t’i dërgohen të gjeturat shkencore të Komisionit.

Kjo është përgjigja e Zyrtarit të Qeverisë, Halil Matoshi, i cili nuk i ka komentuar deklaratat e Zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj se shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi do të nxirret për ratifikim në muajin mars të vitit të ardhshëm.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj ia ka besuar procesin Komisionit të ri shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit dhe është në pritje të të gjeturave shkencore rreth procesit të demarkacionit të kufirit me Republikën e Malit të Zi. Pastaj do të vendoset për hapat tjerë”, ka thënë Matoshi, në një përgjigje me shkrim.

Matoshi nuk është përgjigjur nëse skenari i përmendur nga Hoxhaj se demarkacioni votohet në pranverë.

Vetëm ka thënë se çdo veprim do të ndërmerret me kujdes. Ka përmendur faktin se i për ratifikim duhet 2/3 e deputetëve siç kërkohen për çdo marrëveshje ndërkombëtare.

“Marrëveshja, përderisa nuk ratifikohet nga të dyja palët është e papërfunduar. Kryeministri mendon se Kosova nuk i ka dy të tretat e votave për këtë version të demarkacionit, së këndejmi do të shihen me kujdes të gjitha veprimet që duhet ndërmarrë në këtë aspekt”, ka shtuar ai.

Problemi i demarkacionit ka mbetur i hapur pasi Kosova ka dështuar ta ratifikojë versionin e nënshkruar nga Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi me zyrtarët e Malit të Zi. Malazezët, ndërkaq, e kanë ratifikuar edhe në Parlament versionin që e ka kontestuar Ramush Haradinaj sa ishte në opozitë.

Sidoqoftë, një zyrtar tjetër i PDK’së, Enver Hoxhaj, ka thënë se gjatë muajit janar ose shkurt do të nxirret për diskutim demarkacioni në Parlament. Pastaj, gjasat për miratim, ai ka thënë se janë në muajin mars.

Në anën tjetër, Qeveria e Malit të Zi, ditë më parë, kishte konfirmuar për Gazetën Express se marrëveshja për demarkacionin për ta është punë e kryer. Kishin thënë se janë të hapur për biseda me palën kosovare por që ata, tashmë e kanë ratifikuar shënjimin e kufirit në Parlament.

Edhe Zëvendës presidenti amerikan, Mike Pence, në takimin me Presidentin e Kosovës, gjatë fundjavës së shkuar, kërkoi ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi.

Por, Ramush Haradinaj insiston se versioni aktual i demarkacionit është i gabuar dhe me këtë vendi humb mbi 8 mijë hektarë tokë. Menjëherë pas marrjes së udhëheqjes të Ekzekutivit, Haradinaj premtoi se do ta gjejë zgjidhjen për demarkacionin, si njërën nga çështjet me të cilat Kosova përballet tash e dy vite. Derisa u zotua se nuk do të vonohen as vizat.

Shkak i mosmiratimit të demarkacionit, kosovarët po mbesin në pamundësi për të lëvizur pa viza në Zonën Shengen të BE’së. Europianët kanë kushtëzuar liberalizimin e vizave me shënimin e vijës kufitare me malazezët dhe me luftimin e korrupsionit./GazetaExpress/