Skandaloze: Ambasadorja e Turqisë e përfshire ne kidnapimin e gylenistëve – kjo është fotoja

E publikuar: 01/04/2018 13:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç, kishte rolin kryesor në kidnapimin e gjashtë gylenistëve dhe dëbimin e tyre nga Kosova. Ajo ishte e përfshirë në operacionin e Agjencisë Intelegjente të Turqisë e cila bashkë me AKI’në kidnapuan dhe larguan shtetasit turq nga shteti kosovar. Edhe fotografia që doli me gylenistët e arrestuar ishte realizuar në Ambasadën turke në Prishtinë. Analizën e fotografisë e ka bërë Instituti Suedez, duke bërë krahasime të fotos së ambasadores me foton e gylenistëve të arrestuar.

Ambasada e Turqisë në Kosovë ka shërbyer si vendstrehim i përkohshëm i gjashtë gylenistëve të kidnapuar nga agjentët e inteligjencës turke në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës dhe Policinë e Kosovës.

Gazeta e përditshme, Cumhuriyet, ka zbuluar se pas arrestimit, gylenistët u dërguan në ambientet e Ambasadës turke në Prishtinë. Në gjithë operacionin ishte e përfshirë edhe ambasadorja Kivilcim Kiliç, e cila është përkrahëse e regjimit të Erdoganit.

Fotografitë i ka realizuar fotografi i agjencisë turke të lajmeve, AA, Keci Ergun, i cili ka mundur të jetë pjesë e operacionit të MIT’it turk.

Stockholmcf.org shkruan se publikimi i fotos së gylenistëve të lidhur është bërë në ambasadën turke. Kanë përshkruar se edhe ngjyrat e dhomës ku ishin të kidnapuarit është e njëjtë me fotografitë e publikuara nga Ambasada turke në Prishtinë. Edhe fotoja e themeluesit të Turqisë është e njëjta në fotografinë e Ambasadës me atë të gylenistëve të arrestuar.

Nurettin Canay Kavuncu, organizatori i operacionit 

Madje, është publikuar edhe emri i organizatorit turk të operacionit. Fjala është për Nurettin Canay Kavuncu, përgjegjës i agjentëve turq në Kosovë. I njëjti punon edhe si Sekretar i Parë i Ambasadës Turke dhe agjent i fshehtë bashkë me agjentin tjetër, Atakan Ertaş.

I gjithë aksioni dhe shfrytëzimi i hapësirave të ambasadës turke ishte me lejen e Ambasadores turke, shkruan Stockholmcf.org.

Policia e Kosovës kishte njoftuar të enjten se ka arrestuar gjashtë shtetas të Turqisë dhe të njëjtët janë dëbuar në Turqi pasi AKI’ja kishte vlerësuar se përbëjnë rrezik për Sigurinë Kombëtare.

Kosova është vendi i parë në Evropë që dorëzon gylenistët e kërkuar në Turqi. Shtete tjera që kanë pranuar kërkesat e Erdoganit janë kryesisht vende diktatoriale ose regjime autokratike si Arabia Saudite, Malajzia, Gjeorgjia, Pakistani, Sudani dhe Mianmar.

Si pasojë e aksionit të inteligjencës turke në Kosovë dhe kidnapimit të gylenistëve janë shkarkuar Ministri i Punëve të Brendshme Flamur Sefaj dhe Shefi i AKI’së Driton Gashi.

Ndërkohë, të shtunën mbrëma, Presidenti i Turqisë ka kërcënuar kryeministrin Ramush Haradinaj për shkarkimet që i ka bërë. Erdogan ka paralajmëruar fundin e Haradinajt në Qeveri dhe protesta të kosovarëve kundër tij.

Presidenti Hashim Thaçi ka mbajtur të shtunën konferencë dhe ka thënë se dëbimi i turqve ishte i ndërlidhur me aktivitetet kriminale të gylenistëve. Ai ka mbrojtur Shefin e AKI’së dhe operacionin./Express/